Polici serb i arrestuar në Kosovë dyshohet për spiunazh, iu gjetën dokumente të IPA-s

PRISHTINË, 17 korrik/ATSH/ Bojan Jevtiç, polici i arrestuar sot (e enjte) gjatë aksionit të përbashkët të autoriteteve të Kosovës te Dheu i Bardhë është arrestuar nën dyshimet për veprimtari spiunazhi për llogari te BIA-s serbe.
Arrestimi i Jevtiç është realizuar në orët e para të mëngjesit me autorizim të Prokurorisë Speciale të Kosovës, pas një hetimi disamujor ndërinstitucional të koordinuar nga AKI, IPK dhe PSRK.
Burime të besueshme nga institucionet e sigurisë në Kosovë kanë konfirmuar për KosovaPress se Jevtiç dyshohet se për vite me radhë ka transmetuar dokumente të klasifikuara policore dhe plane operative te zyrtarë të inteligjencës serbe.
Atij i janë gjetur dokumente të Shoqatës Ndërkombëtare të Policisë (IPA), pjesë e së cilës nuk është Kosova, ndërkohë që janë Serbia dhe Rusia.
Sipas burimeve të njëjta, KosovaPress mëson se pas sulmit në Banjskë, Jevtiç ka transmetuar plane operative të ndjeshme që lidhen me sigurinë kufitare.
Ndryshe, Bojan Jevtiç është i arrestuari i gjashtë për spiunazh, pasi në një periudhë brenda një viti, ishin arrestuar edhe pesë të dyshuar tjerë.
/Kosovapress/