E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia Kufitare bllokon mjetin lundrues në Borsh, gjobë 500 mijë lekë për shkelje të perimetrit të sigurisë

TIRANË, 7 qershor /ATSH/ Policia Kufitare bllokoi sot një mjet lundrues në zonën e Borshit dhe ka ndëshkuar drejtuesin e tij me masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj, pasi u konstatua duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë të përcaktuar për pushuesit.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare për garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.

Gjatë patrullimit në zonën e quajtur “Krorëz”, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues që ishte futur brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre. Në përfundim të veprimeve administrative, ndaj drejtuesit të mjetit lundrues u vendos masë administrative në vlerën 500 mijë lekë të rinj, si dhe u bë bllokimi i mjetit lundrues. Policia e Shtetit apelon ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos hyrë në zonat e përcaktuara për pushuesit. Gjithashtu, në zonat ku ende nuk janë vendosur perimetrat e sigurisë, drejtuesit e mjeteve lundruese nuk duhet të afrohen në bregdet apo të kryejnë manovra hyrje-daljeje në vende ku ka pushues, me qëllim shmangien e çdo rreziku për jetën dhe sigurinë e tyre. /e.xh/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›