E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia: Kujdes, SMS mashtruese me “paketa postare”

TIRANË, 6 prill /ATSH/ – Policia e Shtetit njofton se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike informon qytetarët për qarkullimin e mesazheve SMS mashtruese, të cilat paraqiten në mënyrë të rreme si njoftime nga shërbimet postare për dorëzimin e paketave.

Sipas njoftimit, këto mesazhe përmbajnë lidhje (linke) të dyshimta dhe kërkojnë veprime urgjente nga qytetarët, me qëllim: përvetësimin e të dhënave personale; vjedhjen e të dhënave bankare; aksesin e paautorizuar në llogaritë financiare.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike thekson se bëhet fjalë për tentativa mashtrimi dhe u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal.

Autoritetet apelojnë: të mos klikohen lidhje të dërguara nga numra të panjohur; të mos jepen të dhëna personale apo bankare; të mos ndiqen udhëzime që kërkojnë veprime urgjente pa u verifikuar më parë.

Ndërkohë, rekomandohet që qytetarët të fshijnë menjëherë mesazhe të tilla, të mos ndërveprojnë me përmbajtjen e tyre dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë në kontaktet zyrtare.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike thekson se mbetet e angazhuar për identifikimin dhe goditjen e këtyre skemave mashtruese, si dhe për garantimin e sigurisë digjitale të qytetarëve.

Për raportime:
Email: cc@asp.gov.al
Tel: +355 69 415 5552
Web: www.asp.gov.al/denonco-krimin-kompjuterik

1 nga 2

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›