E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Maliqit ndalon të riun që lëvizte i armatosur me automatik

Policia e Maliqit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Sovjani”, duke arrestuar një 30-vjeçar që qarkullonte i armatosur me armë zjarri dhe mbante në banesë armë gjahu pa leje.

Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, mbi bazën e informacioneve të siguruara, organizuan një aksion për të goditur rastet e armëmbajtjes pa leje. Në fshatin Sovjan, mes parcelave bujqësore, u ndalua një automjet ku udhëtonte i dyshuari. Gjatë kontrollit, policia gjeti një armë zjarri tip automatik.

Në vijim të kontrollit në banesën e tij, u sekuestruan një armë gjahu teke dhe një sasi municioni luftarak. Bashkë me automjetin, të gjitha sendet e jashtëligjshme u sekuestruan si prova materiale.

30-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›