E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Shtetit paralajmëron shkollat për “Edibles” me THC: rrezik i lartë për nxënësit

Policia e Shtetit me në krye Skënder Hitën ka njoftuar zyrtarisht Ministrinë e Arsimit për një rrezik në rritje që u kanoset nxënësve, lidhur me një formë të re të trafikimit dhe përdorimit të substancave psikoaktive.

Në një shkresë zyrtare drejtuar institucioneve arsimore, policia bën me dije se produktet e njohura si “Edibles”, të cilat në pamje të parë duken si produkte të zakonshme ushqimore, përmbajnë nivele të larta të THC-së, përbërësi kryesor psikoaktiv i kanabisit.

Sipas autoriteteve, këto produkte tregtohen kryesisht në formën e xhelatinave, karameleve apo haribove, duke i bërë veçanërisht tërheqëse dhe të vështira për t’u identifikuar nga fëmijët dhe adoleshentët.

Policia ngre shqetësimin se konsumimi i tyre mund të sjellë pasoja serioze për shëndetin, sidomos te të miturit, duke ndikuar në gjendjen psikologjike dhe fizike të tyre.

Përmes shkresës, autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të shkollave, mësuesve, prindërve dhe vetë nxënësve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të kontribuojnë në ndërgjegjësimin për rreziqet që paraqesin këto produkte.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›