E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Vlorës zhvillon takime sensibilizuese me nxënësit kundër dhunës me bazë gjinore

TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ Në kuadër të fushatës sensibilizuese “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”, Policia e Vlorës ka zhvilluar takime informuese në shkollat 9-vjeçare “Teli Ndini”, “Rilindja”, “Marigo Posio”, “Internacional”, si dhe në gjimnazet “Halim Xhelo” dhe “Jani Minga”.

Policia njofton se këto aktivitete u realizuan në bashkëpunim me ZVA Vlorë–Himarë, drejtuesit e shkollave, mësuesit dhe nxënësit, si dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucionet që ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës si Bashkia, Shërbimi Social, DROSHKSH, NJVKSH, Qendra “Vatra”, etj.

Sipas Policisë Vlorë, nxënësit u informuan mbi aspektet ligjore dhe psiko-sociale të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, si dhe mbi mënyrat e raportimit dhe mbrojtjes së viktimave, me theks të veçantë te dhuna digjitale.

Kjo fushatë synon rritjen e ndërgjegjësimit dhe nxitjen e një debati të hapur në komunitet mbi këtë problematikë sociale.

Fushata, që do të zgjasë deri më 10 dhjetor, parashikon një sërë aktivitetesh informuese dhe ndërgjegjësuese, me qëllim parandalimin, mbrojtjen dhe riintegrimin e rasteve të dhunës në familje.


/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›