Policia kontrolle për nivelin e zhurmës së muzikës, gjobitet me 200 mijë lekë subjekti në Himarë

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit bën me dije se në zbatim të planit të posaçëm të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit veror, si dhe bazuar në hartëzimin e zonave me risk për ndotje akustike, ka gjobitur me 200 mijë lekë të rinj një subjekt në Potam të Himarës.
Gjatë kontrolleve, përveç subjekteve ku u kryen verifikime dhe matje dhe që rezultuan brenda kufijve të lejuar të zhurmës, u konstatua se në një beach bar në Potam gjenerohej muzikë në orën 00:30.
Për këtë shkelje, Policia nënvizon se në zbatim të ligjit “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, pronari i subjektit, shtetasi S. R., 37 vjeç, u ndëshkua me masë administrative prej 200 000 lekësh të rinj.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale, Policia informon se pronari i subjektit dhe 5 shtetas të tjerë, mes tyre edhe 35-vjeçari i punësuar si muzikant në këtë subjekt, u proceduan penalisht, pasi kishin prishur qetësinë publike dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndërprerë aktivitetin me muzikë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Policia e Shtetit apelon sërish ndaj pronarëve dhe administratorëve të subjekteve që zhvillojnë aktivitete me muzikë, të respektojnë kriteret ligjore lidhur me orarin e zhvillimit të këtyre aktiviteteve dhe nivelin e zhurmës që gjenerohet prej tyre.
Gjithashtu, fton qytetarët dhe pushuesit të njoftojnë menjëherë Policinë për çdo shqetësim që hasin në këtë aspekt, si dhe për çdo paligjshmëri tjetër, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe trajtim në përputhje me ligjin.
/e.i/a.f/