E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia, luftë me 6 trafikantë

Mushkat e ngarkuara me drogë, pas bllokimit nga policia

GJIROKASTER/ Arrestohen dy autorë, 4 në kërkim. Blutë shkëmbyen zjarr 30 minuta.

Me mushka, 144 kg drogë nga Lazarati për në Igumenicë.

Transportonin drogë Lazarati, shkëmbejnë zjarr me policinë kur u bëri thirrje të dorëzohen. Për gati 30 minuta, Policia e Gjirokastrës, e mbështetur edhe nga forcat speciale Delta, shkëmbeu zjarr me 6 trafikantë. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 04:30, në tentativë për të ndaluar rrugëtimin e 144 kg marijuanë në drejtim të Delvinës. Operacioni Prita u organizua pasi blutë u sinjalizuan për shkëmbim të mallit në zonën e Sopotit mbi fshatin Lazarat. Policia po mbante në survejim rrugëtimin e tre personave me mushka që dolën nga fshati Lazarat. Kafshët e punës ishin të ngarkuara me marijuanë të presuar, që ishte përgatitur në një zonë të fshehtë të Lazaratit, gati për trafik. Policia dhe forcat Delta kishin instaluar në pjesën kulmore të malit Sopot, dy pika grackë për arrestimin e trafikantëve. Afro 30 minuta më pas, 3 persona që rrugëtonin me mushkat e ngarkuara me marijuanë Lazarati, u gjendën në afërsi të rrugës automobilistike. Policia është gjendur e befasuar nga armatimi që ata dispononin, ndaj u vendosën në pozicion zjarri për tiu përgjigjur çdo lloj situate. Në këtë kohë, nëpërmjet aksit automobilistik që vjen nga Delvina për në pikën ku ndodhen të instaluara antenat në Sopot, mbërriti një automjet tip Isuzu pa targa me tre persona të tjerë. Këta ishin pritësit e mallit, të cilët pasi do ta merrnin kundrejt 140 mijë eurove, do ta çonin në Delvinë e më pas në Igumenicë. Veprimi policor ka qenë i shpejtë dhe i ka gjetur në befasi të dyja grupet. Në këtë situatë trafikantët kanë hapur zjarr në drejtim të policisë. Pas rreth 30 minutash luftë, specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve si dhe forcat Delta kanë mundur të neutralizojnë zjarrin duke arrestuar dy prej trafikantëve. Njëri prej tyre, Arben Ahmeti, 47 vjeç nga Delvina, ka vuajtur nëntë vjet burg në Greqi për trafik droge. Mësohet se Ahmeti, që ndodhej në Isuzu, ka qenë më agresivi në dyluftim me policinë, pasi ka qëlluar me pistoletë. Veç tij, policia prangosi edhe Dhimitraq Rrapushin 37 vjeç po nga Delvina, i cili ka shtënë me armë automatike. Rrapushi i përkiste grupit që transportonte marijuanën me mushkë nga Lazarati. Policia nuk mundi të arrestojë katër trafikantët e tjerë, të cilët mundën të largoheshin të favorizuar nga terreni i thepisur dhe errësira. Në largim e sipër, edhe ata kanë qëlluar me armë zjarri drejt policisë. Të katër personat janë nga Delvina dhe Policia e Gjirokastrës i ka identifikuar, por për efekt hetimi bëri të ditur vetëm inicialet e tyre, konkretisht Sh.H. 35 vjeç, S.M. 22 vjeç, K.L. 23 vjeç dhe A.P. 26 vjeç. Individët e arratisur braktisën në momentin e fundit marijuanën prej 144 kg. Grupi hetimor verifikoi se lënda gjendej në katër çanta të mëdha shpine, të ndara në 30 pako për secilën çantë, me peshë të ndryshme nga njëra-tjetra. Fatmirësisht, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, nuk pati të lënduar as nga forcat e policisë dhe as nga trafikantët e drogës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan katër armë, dy pistoleta TT dhe dy armë automatike model 56, së bashku me automjetin Isuzu.

Igumenicë, kapen 2 shqiptarë me armë
IGUMENICE- Trafik armësh drejt Greqisë, në pranga dy shtetas shqiptarë. Në kufirin shqiptaro-grek, Policia e shtetit fqinj ka kapur transportuesin e armëve drejt territorit grek. Policia e Igumenicës bëri të ditur se ndaloi një shtetas shqiptar 28 vjeç, i cili po kalonte ilegalisht kufirin, nga territori i Sarandës për në Igumenicë me një çante shpine. Pas ndalimit iu zbuluan në çantë dy automatikë tip Kallashnikov me 5 krehra me 124 fishekë, si dhe 1 pistoletë tip TT me një krehër me 54 fishekë. Ai është shoqëruar menjëherë në rajonin e Policisë së Thesprotisë. Gjatë hetimeve, ai ka pranuar se armët do ia çonte një tjetër shtetasi shqiptar, i cili më pas do i shiste në Athinë. Policia greke organizoi operacionin për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër dhe, pas disa orë kërkimesh, e ndaloi në qytetin e Igumenicës. Ai është 25 vjeç, ndërkohë që emri i tij nuk bëhet i ditur për arsye hetimi.                                    sh.d

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›