Politika e jashtme e SHBA-së, ish-ambasadori Bimo: Trump po përpiqet të ndryshojë strategjinë 80-vjeçare të Amerikës. Revoltat në Iran, pa “kokë” politike

Ish-ambasadori Roland Bimo tha se protestat në Iran lindin nga situata e brendshme e vendit, ndërsa deklarimet e presidentit amerikan Donald Trump për ndërhyrje duhet të shihen në kuadrin e gjerë ndërkombëtar.
Në emisionin “3D” në RTSH, Bimo theksoi se Trump është nën presion të madh nga lobet brenda SHBA për të ndjekur politikën tradicionale të vendit gjatë 80 viteve të fundit, edhe pse presidenti erdhi duke premtuar një qasje më të pavarur dhe të fokusuar te interesat e popullit amerikan.
“Aktorët në Iran janë të shumtë, ku kryesorët janë Izraeli dhe SHBA, por nuk mund të lëmë pa përmendur Rusinë dhe Kinën. Natyrisht, është situata e brendshme e Iranit që nxiti protestat, dhe deklarimet e Trump për ndërhyrje duhet parë në kontekstin e gjithë situatës ndërkombëtare. Trump është nën një presion të jashtëzakonshëm nga lobet e ndryshme në Amerikë dhe situata ndërkombëtare për të ndjekur të njëjtën politikë që SHBA ka ndjekur në 80 vitet e fundit. Ai erdhi duke premtuar një politikë tjetër të jashtme, duke tentuar të shkëputet nga ajo që quhet politika e britanikëve me fuqinë e amerikanëve, një politikë që është ndjekur për 80 vite.
Në vijat e përgjithshme, politika botërore ka qenë nën influencën e gjeopolitikës britanike. Nëse SHBA ka ndjekur këtë politikë ndaj Rusisë, influenca britanike ka qenë e dukshme në politikën e jashtme amerikane. Si lidhet kjo me Iranin? Trump ka premtuar se nuk do të ndjekë “fanatizmat” nëpër botë, por do të ndjekë interesin e popullit amerikan. Izraeli ka kërkuar ndërhyrjen ushtarake në Iran, por fakti që kjo nuk ndodhi tregon se Teherani dhe Izraeli nuk ranë dakord për çdo gjë”, tha ish-ambasadori.
Ish-ambasadori shtoi se revolta në Iran është legjitime, por nuk ka një udhëheqje të qartë politike, gjë që e bën të paqartë zhvillimin e saj në të ardhmen.
Ai paralajmëroi gjithashtu se dinamika ndërkombëtare, përfshirë ndërhyrjen në Venezuelë lidhet me strategjitë amerikane për të dominuar në hemisferën perëndimore
“Ngjarjet në Iran nuk janë të shkëputura; revolta e popullit është legjitime, por kjo revoltë nuk ka një kokë politike. Kjo e bën të paqartë atë që mund të ndodhë më pas. Edhe ndërhyrja në Venezuelë është shtyrë nga lobet në SHBA; Trump i bëri qejfin lobit, nuk është vetëm çështje e naftës, por e strategjisë së re amerikane dhe ndikimit të tyre në hemisferën perëndimore”, tha Bimo.
/rtsh.al/