E Hënë, 2 Nëntor 2026

Predikonte mësime fetare në shkollë, largohet nga puna mësuesi në shkollën “Gustav Mayer”

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Një mësues i gjuhës angleze në shkollën 9-vjeçare “Gustav Mayer” në Tiranë, është pushuar nga puna, pas publikimit në medie se predikonte tek fëmijët fenë e Jehovait.

Përmes një reagimi zyrtar, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar në Tiranës bëri të ditur se mësuesi Dritan Zaimi, që prej datës 3 shkurt nuk ka zhvilluar mësim në shkollë.

“Në vijim të ankesës së paraqitur nga dy prindër më datë 02.02.2026, Drejtoria e shkollës 9-vjeçare “Gustav Mayer” ka kryer menjëherë verifikimet përkatëse, në bashkëpunim me shërbimin psikosocial të institucionit. Në kuadër të këtij procesi, drejtoria dhe shërbimi psikosocial kanë hyrë në orën e mësimit të zhvilluar nga mësuesi dhe kanë administruar materialet përkatëse të përdorura gjatë procesit mësimor”, njoftoi DRAP

Bazuar në gjetjet e verifikimit, sipas DARP ndaj mësuesit Dritan Zaimi janë ndjekur procedurat ligjore dhe institucionale në fuqi.

“Konkretisht: Më datë 02.02.2026, Drejtoria e shkollës i ka përcjellë rastin Komisionit të Etikës i cili u mblodh në të njëjtën datë. Komisioni i Etikës ka referuar çështjen për shqyrtim në Komisionin e Disiplinës. Më datë 03.02.2026, Komisioni i Disiplinës u mblodh dhe, me votim të fshehtë, vendosi me 7 vota pro masën disiplinore “largim nga puna””, njoftoi DRAP.

DRAP njoftoi më tej se në zbatim të legjislacionit në fuqi, përfshirë Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, rregulloren për funksionimin e institucioneve arsimore parauniversitare dhe Kodin e Etikës së Mësuesit, Drejtoria e shkollës ka nisur procedurën për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së punës.

Gjithashtu në respektim të afateve dhe të drejtës për t’u dëgjuar, mësuesi është njoftuar për t’u paraqitur më datë 9 shkurt, me qëllim parashtrimin e qëndrimit të tij lidhur me vendimin e marrë.

Institucionet arsimore nënvizoi DRAP mbeten të angazhuara për respektimin e standardeve profesionale, etikës dhe sigurisë së nxënësve, duke vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe procedurat përkatëse. /j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›