E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi: Kosova e meriton mëvetësinë e saj!

12 shtator 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot pasdite në zyrën e tij Kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku me të cilin shkëmbeu vlerësime mbi marrëdhëniet shumë të mira, që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe angazhimet e palëkundura për të ardhmen euroatlantike të dy vendeve.

Statusi i ardhshëm i Kosovës ishte në qendër të bisedës mes dy bashkëfolësve. “Kosova e meriton mëvetësinë e saj”, - vërejti Presidenti Topi. “Gjykoj se çdo vonesë, pas numërimit mbrapsht të 120 ditëve të Trojkës, mund të çojë në shpërthimin e dhunës e ashtu siç mund të pohoj se edhe “status quo”-ja nuk është situatë e qëndrueshme por bllokuese”, - tha Kryetari i Shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Çeku vlerësoi qëndrimet e vazhdueshme dhe konseguente të Presidentit të Shqipërisë në mbështetje të pavarësisë së Kosovës si zgjidhja e vetme që do prodhojë stabilitet në rajon.

Në përgjigje të interesimit të gazetarëve në përfundim të takimit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi u shpreh se:

“Sot pata kënaqësinë e veçantë që të bisedojmë me Kryeministrin e Kosovës, zotin Çeku, rreth situatës në Kosovë dhe të marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Kosovës, marrëdhënie të cilat në mënyrë të natyrshme kontribuojnë për qetësinë në rajon, sepse perspektiva e dy vendeve tona është pikërisht familja europiane, familja euroatlantike.

Ne konstatojmë me shumë kënaqësi, se gjatë gjithë zhvillimeve të fundit, qoftë në Kosovë, qoftë në arenën ndërkombëtare, ka pasur një pjekuri, ka pasur një vullnet të harmonizuar të të gjithë institucioneve të Kosovës, të faktorëve politikë për të trajtuar çështjen e Kosovës, si një çështje primare të të gjitha çështjeve që diskutohen sot në Kosovë. Kosova sot është në axhendën ndërkombëtare dhe Shqipëria, sikurse jemi shprehur në mënyrë të vazhdueshme, i referohet Planit të zotit Ahtisari për pavarësi të Kosovës, që Kosova të jetë një shtet i pavarur, që respekton të gjitha pakicat kombëtare që jetojnë në Kosovë, të jetë për marrëdhënie të mira midis vendeve të rajonit dhe e projektuar, sikurse thashë, në familjen europiane dhe euroatlantike.

Ne përshëndesim deklaratat e fundit të Bashkimit Europian, deklaratat e NATO-s, të cilat në mënyrë të drejtëpërdrejtë bëjnë me dije së nuk do të ketë shans për një rikthim të trupave serbe në Kosovë. Kosova, sikurse po e konstatojmë gjatë këtyre ditëve do të shkojë drejt pavarësisë së saj, drejt asaj që ne, në terminologjinë shqiptare e quajmë mëvetësi. Kjo do të jetë shumë e rëndësishme qoftë për Kosovën, qoftë për vendet në rajon. Ne jemi të bindur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe vendet e tjera europiane po kontribuojnë që çështja e statusit të pavarësisë të marrë një përfundim sa më pozitiv.

Ne natyrisht i bëjmë thirrje të gjitha vendeve europiane që të shtojnë presionin pozitiv në këto negociata, në mënyrë që ato ta kenë finalizimin jo për t’i shërbyer thjesht një vendi, por për t’i shërbyer asaj aspirate që kanë të gjithë gjithë popujt e rajonit, që të ardhmen e vet ta kenë në familjen europiane dhe në organizmat euroatlantikë.

Edhe njëherë përgëzoj zotin Çeku për të gjithë kontributin e tij në krye të qeverisë, e cila ka punuar me shumë vullnet, me profesionalizëm për t’iu përkushtuar çështjes së ngritjes së institucioneve në Kosovë, sipas standardeve të kërkuara.

Unë dhe Kyeministri Çeku sonte gjithashtu do të asistojmë në ndeshjen që Shqipëria do të ketë me Hollandën dhe shpresojmë gjithashtu në një rezultat pozitiv”.

Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku tha se:

“Është një kënaqësi e veçantë që të takoj për herë të parë zyrtarisht në postin e Kryetarit të Shtetit, z. Bamir Topi. Unë fillimisht në emrin tim dhe në emër të qeverisë së Kosovës edhe një herë e urova për këtë post të rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë shqiptarët. Shkëmbyem mendime për situatën rreth Kosovës. Unë e pash atë që e kam vërejtur më herët që z. President është shumë i motivuar për Kosovën, që çështja e Kosovës të zgjidhet drejt dhe shpejt. Përshëndes qëndrimet e tij ndaj çështjes së Kosovës, sidomos përshëndes veprimin e tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe mesazhet që kanë dalë nga kjo mbledhje dhe vetë mesazhin që ka më vete ka dhënë kjo mbledhje e Këshillit Kombëtar të Sigurisë. Është një mesazh që Kosova nuk është vetëm, nuk është e izoluar, Kosova është në axhendën edhe ndërkombëtare, është në axhendën e vendeve më të fuqishme demokratike, por gjithësesi edhe mbi të gjitha është dhe në axhendën e Shqipërisë.

Pavarësia e Kosovës është projekt madhor kombëtar, është objektiv kombëtar dhe disa shqiptarë kanë rol aktiv në këtë drejtim. Gjithsesi, Shqipëria ka pasur rol aktiv, ka pasur rolin e vet, por kërkohet edhe një angazhim shtesë i të gjithëve në këtë drejtim, kërkohet që të gjithë ne udhëheqësit e Kosovës, të Shqipërisë të bëjmë një presion pozitiv, ashtu si tha Presidenti, mbi shtetet e Unionit Europian për domosdoshmërinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës menjëherë pas përmbylljes së kësaj periudhë shtesë të bisedimeve.

Unë edhe një herë e përgëzoj Presidentin për detyrën e tij, për punën që ai ka bërë, për fillimin shumë të suksesshëm në këtë detyrë dhe në fund bashkarisht të shprehim bindjen që sonte do t’i gëzohemi një fitoreje tjetër të ekipit të futbollit shqiptar dhe edhe një herë do e ndjejmë kënaqësinë e të qenurit shqiptar”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›