E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi urojnë gjithë besimtarët katolikë shqiptarë me rastin e Festës së Pashkëve katolike.

12 prill 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, bënë sot një vizitë në Selinë e Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës në Tiranë, në Katedralen “Gjon Pali”, me rastin e Festës së Pashkëve katolike, ku u pritën nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore dhe njëkohësisht Ipeshkvi i Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, Imzot Rrok Mirdita.

Presidenti Topi i shprehu Imzot Rrok Mirditës urimet më të mira për të gjithë besimtarët katolikë shqiptarë me rastin e Festës së Pashkëve, festës së rilindjes së shpresës për një të ardhme më të mirë për kombin tonë dhe mbarë njerëzimin.

Imzot Rrok Mirdita falënderoi Presidentin Topi dhe Zonjën e Parë, Teuta Topi për vizitën dhe theksoi se në këtë ditë të shënuar të kremtimit më të madh të ringjalljes së Jezusit, janë të rëndësishme mesazhet e paqes, tolerancës, mirëkuptimit dhe komunikimit me njëri-tjetrin.

Kreu i shtetit përcolli urimet më të ngrohta për të gjithë besimtarët katolikë shqiptarë edhe nëpërmjet një prononcimi për mediat: “Gëzuar të gjithëve!

Dëshëroj të shpreh urimet më të mira për besimtarët katolikë për ditën e Pashkëve, këtë ditë të gëzuar, këtë ditë të shënuar, këtë ditë që sjell nevojën për më shumë harmoni, për më shumë ekuilibër dhe për më shumë paqe tek secili!

Pa dyshim është një ditë që shërben si referencë për sa i përket asaj çka ndjen çdo shqiptar, ose sikurse e kam thënë dhe do të vazhdoj ta them gjithmonë, standardi më i arrirë i shoqërisë sonë është respekti për fenë e gjithësecilit.

Kam dëgjuar me shumë kujdes sot mesazhin e Atit të Shenjtë nga selia e tij në Vatikan, i cili edhe njëherë bëri thirrje për më shumë paqe në botë, për më shumë ekuilibër, për ta begatuar më shumë shpirtin tonë, të gjithësecilit dhe natyrisht për më shumë mirëqenie sociale dhe ekonomike. I njëjti mesazh del edhe nga goja ime për të gjithë popullin shqiptar dhe për të vazhduar me traditën tonë të hershme dhe të re për harmoni të plotë mes të gjitha besimeve, në mënyrë që kështu siç e shpreh unë dhe siç e shprehin të gjithë shqiptarët, që çdo festë e secilit, të jetë natyrisht edhe kënaqësia e të gjithë shqiptarëve”!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›