E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi pret Presidentin e Kosovës, Sejdiu.

6 gusht 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Presidencë dhe zhvilloi një takim të përzermërt dhe vëllazëror me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Kreu i shtetit shqiptar, z. Topi pasi i uroi mirëserardhjen Presidentit kosovar, Sejdiu, e falenderoi për urimet e ngrohta, të parat që i erdhën me rastin e zgjedhjes së tij në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Z. Topi vuri në dukje se Kosova dhe populli kosovar po përjetojnë çastet më të rëndësishme në historinë e tyre – ato të përcaktimit të statusit përfundimtar, që padyshim do të jetë pavarësia. Presidenti Topi, pasi theksoi se të gjitha institucionet shqiptare janë në të njëjtën linjë me ato kosovare dhe i mbështesin tërësisht për sa i përket çështjes së përcaktimit të statusit, shprehu bindjen që ai do të përcaktohet sa më shpejt të jetë e mundur, edhe në sajë të mbështetjes së faktorit ndërkombëtar.

Presidenti Sejdiu shprehu edhe një herë urimet e mbarë popullit kosovar për zgjedhjen shumë të mirë të kreut të ri të shtetit shqiptar – një zgjedhje që u arrit brenda kuadrit kushtetues – dhe informoi z. Topi rreth përpjekjeve dhe sfidave të Kosovës për arritjen e statusit përfundimtar, që do të jetë pavarësia e panegociueshme dhe ruajtja e integritetit territorial të Kosovës, për proceset reformuese në vend, që do të pasohen nga proceset e integrimit euroatlantik.

Presidenti Topi vlerësoi lart rolin e z. Sejdiu në krye të Kosovës si shumë institucional dhe si promotor i proceseve demokratike dhe e siguroi se do të bëjë të pamundurën për të konsoliduar edhe më tej marrëdhëniet kushtetuese dhe njerëzore mes dy vendeve tona.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›