E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi uron Presidentin amerikan Obama për marrjen e Çmimit Nobel për Paqen.

9 tetor 2009

Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama në të cilin shkruan:

"I nderuar President Obama,

Me shumë kënaqësi dhe gëzim mësova së Komiteti i posaçëm Ndërkombëtar i Çmimit Nobel ju zgjodhi Ju fituesin e këtij Çmimi të rëndësishëm për Paqen për këtë vit.

Kam nderin t’ju dërgoj në emrin tim dhe në emrin e popullit shqiptar urimet e sinqerta dhe përgëzimet më të mëdha me këtë rast të veçantë për Ju dhe kombin e madh amerikan.

Vlerësimi i figurës, kontributit e përkushtimit tuaj për të përhapur paqen, për të luftuar varfërinë, për të ndaluar luftën, për të ndërtuar mirëqenien, për të mbjellë harmoninë dhe për të ringjallur shpresën dhe besimin në emër të drejtësisë, lirisë dhe të një bote më të begatë, është shembulli se si guximi dhe vullneti mund të kthehen në sukses dhe në vlerë kombëtare e botërore.

Unë dhe i gjithë populli shqiptar bëhemi pjesë e gëzimit të kombit tuaj dhe pjesë e vlerësimit që Komiteti i posaçëm Ndërkombëtar i Çmimit Nobel pati për ju duke ju kurrorëzuar me Çmimin Nobel për Paqen.

Gjej mundësinë edhe një herë, Zoti President, që të shpreh ndjenjat e konsideratës sime më të lartë!

Miqësisht,

Bamir TOPI"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›