Presidenti i Ukrainës dekoron Spiropalin me çmimin “Urdhri i Princeshës Ollga i Klasit të Parë”

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk, në një postim në rrjetet sociale njoftoi se sot, në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, Presidenti Zelenksi ka dekoruar 14 kryeparlamentarë, deputetë, senatorë e kongresmenë të ShBA dhe vendeve europiane, mes tyre kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe bashkëpunimin me Parlamentin e këtij vendi.
Kryeparlamentares Spiropali iu akordua Çmimi i Lartë Shtetëror “Urdhri i Princeshës Ollga, i Klasit të Parë”.
“Faleminderit secilit prej jush, miqtë tanë të dashur, anëtarë të familjes së madhe parlamentare, për çmimet e merituara që u janë dhënë nga Presidenti Zelenski, në emër të popullit ukrainas”, shkruan kryeparlamentari ukrainas Ruslan Stefanchuk.
Dekorata “Urdhri i Princeshës Ollga, i Klasit të Parë” është nderimi më i lartë që u jepet grave për merita të veçanta në mbështetje të shtetit dhe shoqërisë ukrainase.
Sipas njoftimit të Kuvendit, dekorata e lartë për Spiropalin është shenjë mirënjohjeje për qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë në mbështetje të lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, dhe gjithashtu një vlerësim për mbështetjen e vazhdueshme të Kuvendit ndaj luftës së drejtë të popullit ukrainas në arenën e veprimtaritë parlamentare ndërkombëtare si edhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm parlamentar mes Kuvendit dhe Parlamentit të Ukrainës, Verkhovna Rada.
/e.i/j.p/