Presidentja Osmani përfundon mandatin, ia dorëzon këtë detyrë kryeparlamentares Haxhiu

PRISHTINË, 4 mars/ATSH/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila sot përfundon mandatin e saj, ia dorëzon këtë detyrë kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Akti ceremonial i dorëzim-pranimit të detyrës do të mbahet në Kabinetin e Presidentes sot (e shtunë) në orën 16:00, bëri të ditur zyra e presidentes Osmani.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, më 4 prill 2021, me 71 vota “për” zgjodhi presidente të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriun.
Osmani u zgjodh pas raundit të tretë të votimit ku votuan 82 deputetë. 71 nga deputetët votuan për Vjosa Osmani-Sadriu, 11 vota rezultuan të pavlefshme, ndërsa për kandidatin tjetër Nasuf Bejta nuk votoi asnjë deputet.
Para raundit të tretë u zhvillua edhe procedura e dy raundeve, të parit dhe të dytit.
Në raundin e parë, votuan 81 deputetë. Për kandidaten Vjosa Osmani-Sadriu votuan 69 deputetë, 12 vota u shpallën të pavlefshme, ndërsa kundërkandidati i Osmanit, Nasuf Bejta nuk mori asnjë votë. Në bazë të këtij rezultati u konstatua se asnjëri nga kandidatët nuk i kishte votat e nevojshme për t’u zgjedhur president, aq sa duhen sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Në raundin e dytë votuan 81 deputetë. Për kandidaten Vjosa Osmani-Sadriu votuan 67 deputetë, 11 vota të pavlefshme, ndërsa kandidati Nasuf Bejta mori 4 vota. As pas raundit të dytë, asnjëri nga kandidatët nuk mori vota për t’u zgjedhur president.
Pas publikimit të rezultatit të votave të raundit të tretë, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu bëri betimin para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e më pas në sallë u intonua himni shtetëror i Republikës së Kosovës. /Kosovapress/