Presienti i Izraelit në Tiranë, takohet me Begajn dhe Ramën dhe deklaron: Jeni në anën e duhur të historisë

Presidenti izraelit Isaac Herzog, mbërriti sot në Tiranë si i pari kryetar shteti i Izraelit që vjen në Shqipëri që nga vendosja e marrëdhënieve mes vendeve.
Ai u prit nga presidenti Bajram Begaj me të cilin diskutuan zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kosovën, si dhe për situatë në Lindjen e Mesme dhe çështjet e sigurisë kibernetike.
Shqipëria dhe Izraeli janë vende mike theksoi Begaj , duke shtuar se të njëjtin mendim ndajnë edhe shqiptarët në Kosovë , prandaj njohja e pavarësisë nga Izraeli është një vendim shumë i rëndësishëm gjeopolitik, me ndikim pozitiv rajonal.
Gjatë takimit kokë më kokë, Begaj rikonfirmoi edhe qëndrimin e Shqipërisë në dënimin e sulmeve terroriste të 7 tetorit 2023 nga Hamasi kundër Izraelit. Qëndrim i cili u përforcua më pas edhe në takimin që Herzog pati me kryeministrin Edi Rama.
Rama e siguroi presidentin Herzog për mbështetjen e Shqipërisë por edhe mikpritjen e izraelitëve në vend.
“Lufta kundër terrorit është më e vështirë. Por Shqipëria ka qenë suportuese për armëpushimin dhe e çdo përpjekje për të liruar pengjet e të nisin bisedimet e paqes. Jam shumë i prirur të theksoj që ndërkohë që këto janë kohë të vështira për Izraelin dhe jo vetëm , e ardhmja do të jetë me siguri një e ardhme, e një Izraeli më të fortë në një rajon më të begatë. Jemi gati të mirëpresim gjithë izraelitet që duan të vijnë, sipërmarrës turistë, artistë, shkrimtare , por edhe ata në moshë të vjetër që duan të kenë shtëpinë këtu, në zemër të Evropës, ku gjen gjithçka në një hapësirë të vogël. Bashkëpunimi ekonomik mes vendeve ka potencial të jashtëzakonshëm”, tha Rama.
Presidenti izraelit falënderoi Ramën , për atë që ai e quajti qëndrim në anën e duhur të historisë
“Po i afrohemi një viti që kur Hamasi na sulmoi, dhe qysh prej asaj dite Shqipëria është radhitur në anën e duhur të historisë. Faleminderit që qëndroni krah nesh teksa luftojmë të mbrojmë veten civilizimin dhe të ruajmë paqen. Puna s’ka mbaru ende pengjet ende mbahen mizorisht në Gaza. Fatkeqësisht po luftojmë më shumë se sa një armik terrorist, Irani dhe fiksimi i tij mizor për të na shkatërruar, ju e njihni mirë ata. Por shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë histori të gjatë dhe më parë”, deklaroi Herzog.
Herzog e mbylli fjalën e tij me një falënderim në gjuhën shqipe.
“Faleminderit popullit shqiptar për ndihmën ndër vite”, shtoi ai. /vizionplus.tv