E Diel, 1 Nëntor 2026

Prilli me shifra të larta vizitorësh në sitet e trashëgimisë kulturore

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Muaji prill ka shënuar rritje të vizitave në sitet kulturore anembanë vendit.

Sipas raportimeve të publikuara nga drejtoritë rajonale të kulturës apo qendrat muzeore, bie në sy një numër gjithnjë në rritje i turistëve që zgjedhin të vizitojnë kalatë, muzeumet e të tjera site të trashëgimisë sonë kulturore.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëri të ditur se Kalaja e Rozafës u vizitua nga rreth 17 mijë vizitorë gjatë muajit prill.

Kalaja Rozafa vazhdon të jetë në top listën e siteve më të vizituara në vend, me mbi 33 mijë vizitorë për periudhën janar-prill.

Ndërkohë një tjetër kala që tërheq vizitorë vendas e të huaj përgjatë gjithë vitit është ajo e Gjirokastrës. Kalaja e Argjirosë vijon të mbetet një nga atraksionet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend, me 14.592 vizitorë gjatë muajit prill, prej të cilëve: 72% vizitorë të huaj, të ardhur nga mbi 40 vende të ndryshme të botës dhe 28% vizitorë vendas.

DRTK Gjirokastër tha se, ky bilanc pasqyron qartë rritjen e interesit ndërkombëtar për historinë dhe kulturën e Gjirokastrës, si dhe angazhimin gjithnjë e më të madh të vizitorëve vendas për të zbuluar dhe vlerësuar trashëgiminë tonë kombëtare.

Shifra mbi vizitueshmërinë ka publikuar edhe Muzeu Ikonografik “Onufri” i cili gjatë muajit prill është vizituar nga 8761 persona, shifër e cila krahasuar me prillin e një viti më parë është 59% më e lartë.

1 nga 9

/j.p/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›