E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prishtina fiton si mysafire ndaj Llapi, Drita mposht pa vështirësi Vushtrrinë

Prishtina është rikthyer te fitorja pas humbjes nga Drita në xhiron e kaluar, duke e mposhtur Llapin me rezultat 1:0, të shtunën, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në kuadër të xhiros së 12-të të AlbiMall Superligës së Kosovës në futboll.

Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi kapiteni Leotrim Kryeziu, në minutën e katërt. Për të, ky ishte goli i parë në këtë edicion, i cili rezultoi vendimtar për tri pikët e skuadrës kryeqytetase.

Llapi krijoi disa mundësi shënimi, por nuk arriti t’i konkretizonte, duke vazhduar kështu me rezultate negative, ku ka regjistruar nëntë humbje.

Me këtë fitore, Prishtina ngjitet në kuotën e 26 pikëve pas 11 ndeshjeve të zhvilluara, duke u renditur në vendin e dytë, me 26 pikë sa ka edhe Malisheva në krye të renditjes. Në anën tjetër, Llapi mbetet në vendin e parafundit me vetëm pesë pikë.

Skuadra kampione në fuqi, Drita e ka regjistruar fitoren e katërt radhazi, duke e mposhtur Vushtrrinë me rezultat 3:1, në ndeshjen e zhvilluar në terrenin me bar sintetik në Gjilan.

Mike Arthur e kaloi Dritën në epërsi në minutën e 19-të, ndërsa Kemelho Nguena shënoi për 2:0 në minutën e 31-të.

Vushtrria e ngushtoi epërsinë tri minuta para përfundimit të pjesës së parë, me një gol të bukur të Albion Shurdhiqit.

Por, fitoren e kampionit në fuqi e vulosi Albert Dabiqaj, i cili shënoi në minutën e 75-të për rezultatin përfundimtar 3:1.

Vushtrria pësoi humbjen e katërt radhazi në kampionat. Skuadra vushtrriase nuk ishte paraqitur në ndeshjen e kaluar ndaj Ballkanit, të cilën e humbi me rezultat zyrtar.

Drita vazhdon garën për mbrojtjen e titullit me 23 pikë nga 11 ndeshje, ndërsa Vushtrria mbetet në vendin e fundit me vetëm tri pikë pas 12 ndeshjeve të zhvilluara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›