Prishtina mbetet dy orë pa energji elektrike

PRISHTINË, 20 janar /ATSh/ Zona të ndryshme të Kosovës, përfshirë Prishtinën, kanë mbetur pa energji elektrike, paraditën e së martës. Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) ka konfirmuar se reduktimet kanë zgjatur për dy orë.
Kjo, sipas Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT po ndodh për shkak të konsumit të madh.
Në një komunikatë per medie, Operatori i Sistemit të Transmetimit në Kosovë (KOST) ka bërë me dije se “po përballet me vështirësi të jashtëzakonshme në balancimin e sistemit në kohë reale, si pasojë e devijimeve të mëdha ndërmjet energjisë së prodhuar dhe kërkesës reale”.
KOSTT, sqaron se “të martën KESCO ka prodhuar rreth 26.17% më pak energji sesa kërkesa reale, duke e çuar Zonën e Kontrollit KOSTT në jo balanca mesatare prej rreth 211 MW orë, ndërsa në disa orë këto jo balanca tejkalojnë 260 MW orë. Kjo situatë është e papranueshme dhe cenon stabilitetin e sistemit elektroenergjetik”.
KOSTT bën thirrje që nominimet të reflektojnë saktë kërkesën reale dhe të korrigjohen menjëherë, për të shmangur devijimet dhe për të ruajtur sigurinë e sistemit. Në këtë situatë, KOSTT bën me dije se është detyruar që të kërkojë aplikimin e kufizimit të ngarkesës, si masë e fundit për garantimin e operimit të sigurt, deri në përmirësimin e gjendjes.
/KosovaPress/