Pritet dakordësia edhe me forcat e tjera për një proces të jashtëzakonshëm, Kurti: Jam gati për zgjedhje

Në një prononcim për gazetarët kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se është i gatshëm për zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Opozita duhet të bëhet gati, ne jemi gjithmonë gati. Nëse ata janë rehat, shkon mandati deri në fund. Për mua ka qenë e rëndësishme të diskutohet agjenda legjislative sepse kemi shumë marrëveshje ndërkombëtare të ngujuara”, tha Kurti.
Dy ditë më parë shefi i qeverisë së Kosovës u takua me kryetarin e Partisë Demokratike Memli Krasniqin me të cilin pati një lloj dakordesie për zgjedhje të jashtëzakonshme, por siç u tha pas takimit për datën dhe kohën duhet koordinim edhe me partitë e tjera.
Krasniqi ishte i vetmi prej liderëve të partive opozitare që pranoi ftesën e Kurtit , ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e refuzuan ftesën e kryeministrit për të darkuar së bashku.
Ky i fundit ka reaguar pas takimit mes Kurtit dhe Krasniqit, duke theksuar se partia e tij e mbështet idenë për shpërbërjen e Kuvendit, por vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të kryeministrit Kurti. /vizionplus.tv