Procesi i Berlinit, mbahet takimi i VI Ministerial për integrimin e komunitetit rom

Në kuadër të Procesit të Berlinit, është mbajtur në Tiranë takimi i VI Ministerial për Integrimin e Komunitetit Rom në Ballkanin Perëndimor, ku përfaqësues të qeverive, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile u mblodhën për të riafirmuar angazhimin ndaj përfshirjes së plotë të romëve në shoqëri.
Takimi, i organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e Shqipërisë, Fondacioni Rom për Evropën dhe Ambasada Britanike në Tiranë, synoi të forcojë përpjekjet për të luftuar diskriminimin dhe për të përmirësuar qasjen e romëve në punësim, arsim, strehim dhe shërbime sociale.
Deklarata e Poznanit – një marrëveshje e rëndësishme e nënshkruar më herët nga vendet e rajonit u rikonfirmua si bazë për angazhime konkrete ndaj komunitetit rom.
Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala, theksoi përparimin e arritur vitet e fundit dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për të garantuar integrimin e pakicave.
“Integrimi i minoriteteve rome dhe egjiptiane mbetet një sfidë e përbashkët, që kërkon ndërtimin e urave të qëndrueshme të bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe strukturave në çdo nivel të qeverisjes”, u shpreh ajo.
Nga ana e tij, Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato, theksoi rëndësinë e përfshirjes së romëve si një vlerë themelore e Bashkimit Evropian.
“Kjo nuk është vetëm një çështje drejtësie, por një e drejtë themelore që ndihmon në ndërtimin e shoqërive më të barabarta dhe gjithëpërfshirëse”, deklaroi Gonzato.
Ndërkohë, zv. Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Julia Sutherland, nënvizoi rëndësinë praktike të angazhimeve të ndërmarra.
“Deklarata thekson se përfshirja e romëve duhet të ecë në hap me prioritetet rajonale si tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbështesë këtë proces”, deklaroi ajo.
Presidenti i Fondacionit Rom për Evropën, Zeljko Jovanovic, bëri thirrje për më shumë përpjekje në fuqizimin ekonomik të romëve:
“Rajoni duhet të shkojë përtej objektivave aktualë. Trajnimi i romëve për tregun e punës është jo vetëm i drejtë, por edhe fitimprurës për ekonominë. Fuqizimi i këtij komuniteti është kyç për stabilitetin dhe rritjen rajonale”, theksoi ai.