Procesioni i Epitafit në Korçë, besimtarët ortodoksë përkujtojnë të Premten e Madhe

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga procesioni i Epitafit në Korçë, në kuadër të përkujtimit të të Premtjes së Madhe nga besimtarët ortodoksë.
Besimtarët ortodoksë në Korçë morën pjesë në ceremonitë e kësaj dite të shenjtë, duke përkujtuar një nga momentet më të rëndësishme të Javës së Madhe të Pashkëve.
Riti tradicional i procesionit nisi në Katedralen Ortodokse të qytetit, ku besimtarët ndezën qirinj dhe u bashkuan në lutje, në një atmosferë përkushtimi dhe reflektimi shpirtëror.
Më pas, procesioni i Epitafit vijoi në rrugët kryesore të qytetit, ku besimtarë, klerikë dhe përfaqësues të komunitetit ortodoks ecën në lutje dhe përulësi, duke mbajtur simbolikën e Epitafit të shenjtë.
Pas përfundimit të itinerarit në qytet, procesioni u rikthye në ambientet e katedrales, ku vijuan ceremonitë dhe lutjet përkatëse të kësaj dite.
Kjo ngjarje përbën një nga kulmet e përgatitjeve shpirtërore të besimtarëve ortodoksë për festën e Pashkëve, e cila simbolizon ringjalljen e Krishtit dhe zë një vend të rëndësishëm në kalendarin liturgjik.
/gj.m/r.e/