E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Proda: Shumë shpejt rezultate konkrete për ngjarjen e Shkodrës

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda deklaroi sot se, shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete për ngjarjen e Shkodrës ku mbetën 4 të vrarë.

I pyetur nga deputeti i opozitës Ferdinand Xhaferaj për ngjarjen e Shkodrës, në seancën dëgjimore për projektligjin “Për Buxhetin e vitit 2025” në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, Proda u shpreh se sa i përket ngjarjeve kriminale ka një shqetësim.

“Sidomos ngjarja e fundit e Shkodrës. Unë jam qytetar vetë dhe e vlerësoj dhe shqetësimin tuaj qytetarë. Nuk diskutohet që ne kemi qëndruar. Grupi i posaçëm, pavarësisht se mund të tingëllojë paksa letrare për dikë dhe duket sikur s’po punon, por unë me garanci po ju them që shumë shpejt për atë ngjarje do të kemi rezultate konkrete. Sikur të kisha shkopin magjik ta ktheja kohën pas besoj të gjithë nga ne do ta kishin vënë dorën  në zemër për të mos ndodhur, por ajo që ka ndodhur është fakt, tani na duhet të përballemi me këtë”, tha Proda.

Proda u shpreh se, “ngjarje nuk ka pasur vetëm në Shkodër. Situatë problematike kemi në disa qytete të Shqipërisë të cilat ne i kemi adresuar”.

Proda tha se, është shtuar me 500 kuota numri i punonjësve të policisë, teksa një pjesë e tyre do të vendoset në kampin e Gjadrit, ndërsa pjesa tjetër do të vendoset në qytete sipas nevojave.

“Me vendim të Këshillit të Ministrave ne na janë shtuar 500 kuota të reja punonjës policie që do i shpërndajmë sipas nevojave. Një pjesë të këtyre shtesave i kemi akorduar tek kampi i Gjadrit, për të menaxhuar dhe problematikën me emigrantët aty dhe pjesën tjetër do ta shpërndajmë sipas nevojave. Në varësi të situatës operative të çdo qarku do alokojmë forcat”.

Lidhur me pyetjen e deputetit të PD, Ferdinand Xhaferaj për rritjen e fondit sekret, Proda tha se,  këtë vit rritja e fondit sekret ka qenë 13 milionë lekë.

“Rritja e fondit sekret është e lidhur ngushtë dhe me aftësitë profesionale të oficerëve. Këtë vit është bërë një risi hapja e akademisë së policisë nga sistemi i maturës shtetërore që do të japë rezultat pas 3 viteve. Pasi ka qenë i mbyllur kualifikimi i oficerëve. Është rikthyer akademia e dikurshme. Me rritjen e nivelit të oficerëve do të ketë kërkesë për rritje të fondit sekret”, tha Proda.

Sa i takon emërimit të drejtorëve, Proda garantoi se ata që kanë fituar të drejtën për t’u emëruar janë oficerë me kontribute dhe për të cilët unë jap garanci maksimale.

“Nuk më vjen mirë që diskutohet që grupet kriminale kanë mundësi të emërojnë këtë apo atë drejtor. Po më duket vetja sikur edhe konkursi për përzgjedhjen time është bërë tek 313 –a me këtë histori që vazhdon ata janë të gjithë oficerë me një karrierë të gjatë me kontribute, të cilët e kanë treguar me vepra që e meritojnë të jenë oficerë policie dhe sot kanë fituar të drejtën për t’u emëruar në detyrën e drejtorit të 15 ata që janë shpallur fitues. 12 do të emërohen, por të gjithë ata që kanë fituar të drejtën e kanë merituar dhe askush përveç meritës së tyre nuk qëndron prapa tyre”, tha Proda.

Lidhur me buxhetin Proda u shpreh se, “ne kërkojmë këtë buxhet dhe mendojmë që mund t’i realizojmë detyrat që kemi dhe këto shtesat që i kemi menduar, mendojmë që t’i japim një gamë më të gjerë mbulimit të aktivitetit tonë në kohë dhe në hapësirë dhe në fenomene të caktuara”.

Proda gjithashtu tha se, Policia duhet të ketë automjetet e veta, pasi ato që merren me qira kanë kosto financiare të lartë.

Proda shtoi se strukturës së Policisë i nevojiten rreth 700 automjete.

“Automjetet me qira, kanë një kosto shumë të madhe. Dhe një pjesë e madhe janë amortizuar. Do ishte më mirë të kishim mjetet tona. Na duhen rreth 700 automjete”, tha Proda.

“Duhet parë me prioritet shtesa për investimin e automjeteve që duhen blerë. 50% e flotës së automjeteve është e amortizuar. Duhen blerë automjetet se kemi kosto të mëdha me makinat me qira”, shtoi më tej kryepolici Ilir Proda.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›