E Shtunë, 31 Tetor 2026

Progni: Kam ndërruar kontratën e besimit me bashkëqytetarët e mi

Intervista/Flet kandidatja e PD në Qarkun e Elbasanit, Irena Progni

Kandidatja e Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, Irena Progni, në një intervistë për Tirana Observer thotë se është shumë optimiste për një fitore të së djathtës në Gramsh. Ajo thekson se ai ka dalë të ndërtojë një marrëdhënie të sinqertë besimi dhe mirëbesimi me bashkëqytetarët e saj. Progni më tej flet edhe për planet që ka PD për zhvillimin e kësaj zone.

964169_164376387077077_407710828_o
Znj.Progni, jemi në fund të fushatës elektorale, sa optimiste jeni për rezultate pozitive në 23 qershor?
Jam shumë optimiste, madje e bindur në fitore në 23 qershor. E nisa këtë fushatë si kandidate për deputete e PD në vendlindjen time, plot optimizëm. Me po kaq optimizëm jam edhe sot dhe jam e bindur se do të jem edhe ne 24 qershor. Jam e bindur sepse kam kaluar nëpërmjet një bashkëbisedim të sinqertë me qytetarët e Gramshit, duke i dëgjuar ata shtëpi më shtëpi, pa anashkaluar absolutisht askënd, me të gjitha problemet që i mundojnë dhe me të cilat ata përballen përditë. Në këtë bashkëbisedim nuk ka pasur asnjë dallim, diferencime, përjashtime: Janë të gjithë bashkëqytetarët e mi dhe unë jam bija e tyre, e cila kërkon të jetë zëdhënësja e tyre, mishërimi i një zgjidhjeje të përkushtuar, reale e konkrete brenda vizionit tonë politik. Nga ky bashkëbisedim kam mundur të prek realisht problemet e vërteta që ka në vendin time. Jam shumë e lumtur tiu them se ia kam dalë të ndërtoj një marrëdhënie të sinqertë besimi dhe mirëbesimi me bashkëqytetarët e mi. Unë ju them me bindje se, kontrata e besimit elektoral mbështetet fort, në radhë të parë, në garanci njerëzore. Unë kandidoj në Gramsh për të ndërtuar pikërisht këtë kontratë njerëzore. Dhe ju them me bindje se e kam realizuar këtë mision. Do të jem në politikë për ti përfaqësuar ata dhe për të punuar palodhur për të zgjidhur problemet dhe hallet e tyre.
Cilat janë problematikat që ju keni konstatuat në zonën ku kandidoni?
Si në vende të tjera, edhe ne Gramsh ka problematika serioze. Përmirësimi i infrastrukturës është një ndër problemet thelbësore për Gramshin. Vetëm një rrjet i mirëfilltë i rrugëve të reja, urave, pritave e barrierave do të lidhte funksionalisht fshatrat dhe komunat me qytetin, çka do lehtësonte qarkullimin e lirë e të shpejtë të produkteve të begata bujqësore, blegtorale, frutore, industriale e turistike, duke zgjidhur kështu dhe problemin e eksportit dhe tregtisë. Sigurisht që Gramshi ka nevojë për investime të studiuara në sistemin e tokave me projekte të detajuara zhvillimi, si në teknologji, ashtu dhe në plehra kimike e organike dhe ilaçe bujqësore.
Çfarë iu premtuat ju qytetarëve të Gramshit?
Premtimet sigurisht lidhen me problematikën e zonës. Investimet tona do të përqendrohen fort në infrastrukture. Ndërtimi i rrugëve proces që kanë nisur e do të intensifikohen, atyre do tu bashkohen të ardhurat që do të vijnë nga shfrytëzimi i resurseve të mëdha që ka rrethi ynë. Linjat e produkteve turistike me mallra artistike e artizanale do të krijojnë një klimë atraktive për vizitorë të shumtë nga vendi dhe bota. Do të përqendrohemi fort në investime dhe mbështetje për të menaxhuar kulturën tradicionale vendëse, folkun etnik dhe veglat muzikore autentike. Pra faktor që lidhen me traditën dhe kulturën e Gramshit. Ne do të përqendrohemi fort në projekte dhe iniciativa që rrisin punësimin, tregtinë. Për komunat, krahas rrugëve të reja, do të ketë investime thelbësore për çdo fermer, në bazë të projekteve konkrete. Do të ketë jo vetëm mbështetje për intensifikimin e sasisë së prodhimit të vreshtave, drithërave dhe perimeve, por do të ketë një kujdes të vazhdueshëm për tregjet e këtyre prodhimeve. Nuk do të lëmë jashtë vëmendje mbështetjen për blegtorinë dhe përmirësimin e racës për gjedhin dhe të imëtat. Në programin tonë Gramshi do të jetë një ndër trevat që do të konkurrojë në treg me prodhimet origjinale bio, natyrore, shumë të kërkuara sot në të gjithë botën, jo vetëm nga guidat turistike. Ndër premtimet tona, brenda filozofisë së djathtë të qeverisjes, do të mbështesim çdo iniciativë dhe biznes privat me të gjitha lehtësirat inkurajuese. Do të ketë investime të cilat do të shkojnë në funksion të rrjetit të shërbimeve mjekësore dhe personeli shëndetësor nëpër Qendra dhe spitale. Është fakt rritja e rrogave të mësuesve, trajnimi e kualifikimi i tyre, por në katër vitet në vazhdim do të mbështetet fuqimisht përmirësimi i vazhdueshëm i këtyre treguesve.
Cilat janë argumentat me të cilat ju mendoni se qytetarët e Gramshit duhet të votojnë PD?
Është një bilanc mjaft pozitiv i qeverisjes tetëvjeçare të PD. Kjo është një garanci shumë e madhe edhe për Gramshin. Janë një sërë projektesh që kanë nisur dhe do të vazhdojnë katër vitet e ardhshme. Këto arritje dhe këto projekte janë një provë konkrete se qeverisja e PD ka në qendër qytetarin. Unë përfaqësoj Partinë Demokratike në këto zgjedhje dhe kam ardhur në vendlindjen time për të ofruar më të mirën e një force që ka ditur të ndryshojë Shqipërinë. Të gjithë duhet të sakrifikojmë nga pak në emër të besimit se Gramshi e ka mençurinë dhe energjinë e mjaftueshme për tu transformuar rrënjësisht. Unë jam e bindur se bashkëqytetarët e mi do të bëjnë zgjedhjen e duhur. Unë i kam takuar të gjithë më shumë se nga një herë. Ata më kanë parë dhe dëgjuar. Kemi folur gjatë bashkë dhe jam e bindur se jemi mirëkuptuar. Jemi mirëkuptuar për gjënë më thelbësore. Ne jemi në një mëndje për të ardhmen tonë, për të ardhmen e fëmijëve tanë, për të ardhmen e të gjithë gramshiotëve. Bashkëqytetarët e mi më kanë mirëpritur dhe unë e kam konstatuar këtë sinqerisht. Ndaj unë sot ju bëj sërish thirrje të më mbështesin dhe së bashku ta arrijmë vendin që na takon dhe e meritojmë në historinë moderne të qytetërimit shqiptar dhe europian. Unë jam e bindur ashtu se themelore sot është interesi qytetar i shqiptarëve, interesi qytetar i gramshiotëve për të ecur përpara në rrugën e harmonisë, vëllazërimit e progresit. Jam mbushur me optimizëm nga bashkëbisedimi që kam patur me gramshiotët e mi, ndaj dhe jam e bindur se ata do të më mbështesin për ti dhënë një mundësi të re zhvillimi vendit tonë. Jam kaq optimiste se do të ma japin shansin që unë si bijë e tyre ti përfaqësoj dhe të luftoj në çdo moment të aktivizimit tim publik, për të mbrojtur interesat e tyre. Unë jam e vendosur për të kryer këtë mision. Prandaj jam e bindur në sukses në 23 qershor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›