E Premte, 6 Nëntor 2026

Progres-Raporti i BE-së, gjyqtarët dhe prokurorët: Ndalni ndërhyrjet në drejtësi, garantoni pagat dhe sigurinë e magjistratëve

Dy ditë pas publikimit të Progres-Raportit 2026 të Komisionit Europian për Shqipërinë,  Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve në vend kanë reaguar përmes një deklarate të përbashkët, duke kërkuar që rekomandimet e Brukselit për sistemin e drejtësisë të mos mbeten vetëm në letër, por të zbatohen pa vonesa nga institucionet përgjegjëse.

Në deklaratë ngrihet shqetësimi për ndërhyrjet dhe presionet ndaj magjistratëve, sulmet personale ndaj tyre, konfliktin e krijuar për pagat e gjyqësorit dhe mungesën e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në deklaratë, theksohet se, pavarësisht progresit të evidentuar nga Komisioni Europian në funksionimin e sistemit gjyqësor dhe forcimin e pavarësisë së tij pas përfundimit të vettingut, problematikat e mbartura vijojnë të cenojnë punën e institucioneve të drejtësisë. Shqetësim i veçantë ngrihet edhe për kushtet e vështira në të cilat punojnë gjykatat dhe prokuroritë, veçanërisht në rrethe, për shkak të mungesës së magjistratëve, personelit mbështetës dhe kapaciteteve teknike.

SHOQATA E PROKURORËVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DEKLARATË E PËRBASHKËT

Reklamë

Raporti 2026 i Komisionit Europian, i publikuar më 4 nëntor 2026, vlerëson se Shqipëria ka bërë progres të mirë në funksionimin e gjyqësorit dhe se përfundimi i vettingut ka forcuar më tej pavarësinë, llogaridhënien dhe integritetin. Ky progres është arritur falë punës së përditshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve, shpesh në kushte të vështira. Por raporti tregon qartë edhe atë që mbetet pa zgjidhje.

Komisioni evidenton se kanë vijuar përpjekjet e zyrtarëve publikë dhe politikanëve, përfshirë në nivelet më të larta, për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi institucionet e drejtësisë, si dhe sulmet personale ndaj magjistratëve. Konflikti për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi pagat solli bllokimin e buxheteve të gjyqësorit dhe mospagimin e pagave të gushtit, një situatë që raporti e cilëson të paprecedentë. Raporti thekson se reforma e pagave duhet të respektojë standardet e CEPEJ-it, parimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të përfshijë konsultime kuptimplota me gjyqësorin. Raporti konstaton mungesë progresi në garantimin e standardeve të sigurisë për gjyqtarët dhe prokurorët. Tetë magjistratë janë vendosur në mbrojtje: gjashtë prokurorë dhe dy gjyqtarë. Sipas raportit, vrasja e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Astrit Kalaja, në tetor 2025, nuk u pasua nga një reagim i mjaftueshëm i gjykatave, autoriteteve shtetërore dhe këshillave për garantimin e sigurisë së gjyqësorit në të gjitha nivelet.

Gjykatat dhe prokuroritë në nivel rrethi vijojnë të punojnë nën kufizime të rënda, me ngarkesë të lartë dhe personel të kufizuar. Për prokuroritë e rretheve, raporti shënon edhe kapacitete të pamjaftueshme për hetimet financiare dhe çështjet komplekse, dhe rekomandon që forcimi i tyre të jetë përparësi. Mungesa e magjistratëve dhe e personelit mbështetës, si dhe vonesat në sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve, vazhdojnë të ndikojnë në cilësinë dhe eficiencën e drejtësisë.

Ne, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, u kërkojmë institucioneve përgjegjëse që rekomandimet e raportit të zbatohen pa vonesë: të ndalen ndërhyrjet dhe sulmet ndaj magjistratëve, reforma e pagave të hartohet në konsultim të vërtetë me gjyqësorin, të merren masa konkrete për sigurinë e gjykatave dhe prokurorive, dhe sistemi i drejtësisë të pajiset me burimet njerëzore e teknike që i nevojiten.

Një drejtësi e pavarur kërkon magjistratë të sigurt, të respektuar dhe të lirë nga presionet. Kjo është përgjegjësi e të gjitha institucioneve.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë

Tiranë, 5 nëntor 2026

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›