E Premte, 6 Nëntor 2026

Progres-raporti i KE-së, Berisha: Shqipëria nuk ka të ardhme evropiane, Rama është përgjegjës i problemeve!

Komisioni Europian vlerësoi përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, pavarësisht disa shqetësimeve për funksionimin e demokracisë dhe mungesën e kontrollit parlamentar ndaj qeverisë.

Edhe pse Komisioni vlerësoi me nota të mira punën e SPAK dhe organeve të drejtësisë, për problematikat e evidentuara Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha cilësoi përgjegjës kryeministrin Edi Rama. Sipas tij në krahasim me Malin e Zi, Shqipëria paraqitet si një diktaturë autoritare.

“Nga alfa te omega, Padrinoja i Shqipërisë rezulton përgjegjës kryesor për të gjitha konstatimet e rënda të Komisionit Evropian për Shqipërinë këtë vit. Ky është raport i paprecedent në historinë e raporteve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Cili të dojë të krahasojë këtë raport me raportin e funksionimit të demokracisë, shtetit ligjor të Malit të Zi dhe do të gjejë se Shqipëria krahasuar me Malin e Zi është një diktaturë autoritare.

Raporti vë gishtin në problemet më madhore të diktaturës autoritare në Shqipëri apo autokracisë elektorale të Edi Ramës. Shqiptarët duhet ta dinë se Komisioni Evropian i kërkon Shqipërisë 115 ndryshime për vitin e ardhshëm, nga të cilat disa të karakterit më urgjent siç janë reforma zgjedhore, kthimi i kontrollit parlamentar mbi qeverinë dhe buxhetin, heqjen e përjashtimeve nga prokurimet publike dhe ndalimi i dëmtimit të zonave të mbrojtur”, tha Berisha.

Për kreun e PD Shqipëria me në krye Ramën nuk do të ketë të ardhme europiane.

“Me këtë raport, të ardhme evropiane nuk ka me Edi Ramën sepse ai është shkaku i të gjitha këtyre problemeve, një pjesë e të cilave nuk kanë qenë në raportin e kaluar. Në qoftë se një projekt për reformën administrative territoriale shkon drejt parimit të centralizimit, ky projekt është antikushtetues. Është në kundërshtim flagrant me konventat që ka firmosur Shqipëria me Këshillin e Evropës, dhe parimet evropiane të demokracisë lokale. Komisioni denoncon faktin që Komisionin e Integrimit të cilin në parlamentin e mëparshëm e kishte opozita, ia morën me votat e krimit, dhe pastaj bëjnë fjalë të ndahet përgjegjësia” tha ai.

Lajm në përditësim…

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›