Projekti “Bëjmë detyrat e shtëpisë” në Berat, Rama: Shembull pozitiv që forcon frymën e arsimit gjithëpërfshirës

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar ecurinë e programit që po aplikohet në shkollat e qytetit të Beratit, ku nxënësit i kryejnë detyrat e shtëpisë brenda orarit mësimor, nën kujdesin e mësuesve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ndau detaje mbi impaktin e kësaj nisme. Sipas Ramës, ky model po jep rezultate konkrete në përvetësimin më të mirë të dijeve nga ana e nxënësve, duke qenë se çdo paqartësi zgjidhet në moment me mësuesin.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i këtij programi është lehtësimi i barrës për prindërit. Sipas Ramës, duke i përfunduar detyrat në shkollë, “krijohet një marrëdhënie më harmonike shkollë-prindër-komunitet”.
“Ky program po vazhdon me sukses duke ndërtuar një shembull pozitiv të kësaj nisme dhe duke forcuar frymën e arsimit gjithëpërfshirës,” theksoi Kryeministri.
/rtsh.al/