E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti TID në Durrës, protestë e banorëve para bashkisë

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Banorët që preken nga projekti për Transformimin e Integruar të Durrësit (TID) i janë rikthyer protestave para bashkisë së qytetit, duke kërkuar transparencë dhe zgjidhje të qarta për strehimin dhe dëmshpërblimin e tyre.

Qytetarë të zonave që përfshihen në projekt u mblodhën në orët e paradites së sotme përpara bashkisë, ku shprehën shqetësimin për procesin e shpronësimeve dhe ecurinë e programit të rindërtimit urban. Ata deklaruan për mediet se ende nuk kanë marrë përgjigje mbi afatet, vlerësimin e pronave dhe alternativat e strehimit për familjet që duhet të largohen nga banesat e tyre.

Qytetarët kërkuan që vendimmarrja për projektin të jetë gjithëpërfshirëse dhe të garantojë trajtim të drejtë për çdo familje të prekur.

Në pankartat e mbajtura gjatë protestës, banorët kërkuan transparencë, informim të vazhdueshëm dhe respektim të të drejtave të pronës. Disa prej tyre paralajmëruan se protestat do të vijojnë nëse nuk do të ketë reagim konkret nga institucionet përgjegjëse.

Projekti për Transformimin e Integruar të Durrësit synon rigjenerimin urban të zonave të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne, por procesi i zbatimit ka hasur në kundërshti dhe shqetësime nga komuniteti lokal.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›