E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligjet dhe vendimet e miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave

V E N D I M

 
PËR

SHPALLJE DITË ZIE KOMBËTARE


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 4, të   ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, si dhe të pikës 8, të kreut VI, të Ceremonialit Zyrtar, të Republikës së Shqipërisë, miratuar me vendimin nr.229, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
 

V E N D O S I:

1. Shpalljen ditë zie kombëtare të datës 3 dhjetor 2011, ditë e zhvillimit të ceremonisë funebre shtetërore, në nderim të të ndjerit Leka ZOGU I, (pretendent i Fronit Mbretëror të Shqiptarëve).

2. Në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtize dhe në orën 12.00 të mbahet një minutë heshtje.
 
3. Radio - Televizioni Publik Shqiptar, gjatë zhvillimit të ceremonialit, të transmetojë muzikë funebre.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
 

   SALI BERISHA

***


V E N D I M
 

PËR

ORGANIZIMIN E CEREMONISË FUNEBRE SHTETËRORE,   NË NDERIM TË TË NDJERIT LEKA ZOGU I, (PRETENDENT   I FRONIT MBRETËROR TË SHQIPTARËVE)


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.10 355, datë 2.12.2010, “Për buxhetin e vitit 2011”, të ndryshuar, dhe të pikës 10, të kreut VII, të Ceremonialit Zyrtar, të Republikës së Shqipërisë, miratuar me vendimin nr.229, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Organizimin e ceremonisë funebre shtetërore, në nderim të të  ndjerit Leka ZOGU I, (pretendent i Fronit Mbretëror të Shqiptarëve), i cili, pas një sëmundjeje të rëndë, ndërroi jetë në datën 30.11.2011.
 
2. Ngritjen e komisionit shtetëror për kryerjen e ceremonisë funebre shtetërore, në përbërje të të cilit të jenë:

• z. Edmond Haxhinasto, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme;
• z. Aldo Bumçi, ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve;
• z. Arben Imami, ministër i Mbrojtjes;
• një përfaqësues i Oborrit Mbretëror Shqiptar;
• një përfaqësues i protokollit të Shtetit;
• një përfaqësues i protokollit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.


3. Ceremonia e homazheve të organizohet ditën e shtunë, datë 3.12.2011, ora 10.00 deri 12.00, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

4. Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme.

5. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.


K R Y E M I N I S T R I
 

   SALI BERISHA

***

V E N D I M

 
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË “PROGRAMIT ME SHUMË PËRFITUES, 2011”, NËN INSTRUMENTIN E ASISTENCË  SË PARAANËTARËSIMIT, IPA, (KOMPONENTI PËR ASISTENCËN E TRANZICIONIT DHE FORCIMIN INSTITUCIONAL)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe  të neneve 5 e 7, të  ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Integrimit, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të “Programit me shumë përfitues, 2011”, nën Instrumentin e Asistencës së Paraanëtarësimit, IPA, (Komponenti për asistencën e tranzicionit dhe forcimin instituticional), sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.


K R Y E M I N I S T R I
 
SALI BERISHA

***


V E N D I M

PËR

RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2011, MIRATUAR PËR MINISTRINË E PUNËVE PUBLIKE  DHE TRANSPORTIT


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të nenit 44, të       ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor të Republikës së Shqipërisë”, dhe të nenit 16, të ligjit nr.10355,  datë 2.12.2010, “Për buxhetin e vitit 2011”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në buxhetin e vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, të bëhet rishpërndarja e fondeve, si më poshtë vijon:

a)   Në programin buxhetor 04550, “Transporti hekurudhor”, “Shpenzime kapitale”, të zbritet fondi prej 12 350 000 (dymbëdhjetë milionë e treqind e pesëdhjetë mijë)  lekësh.

b) Në programin buxhetor 06180, “Strehimi dhe urbanistika”, “Shpenzime kapitale”, të shtohet fondi prej 12 350 000 (dymbëdhjetë milionë e treqind e pesëdhjetë mijë) lekësh, për pagesat e kontributeve të bashkisë Himarë dhe komunës Lukovë, në kuadër të projektit “Menaxhimi i integruar dhe pastrimi i zonës bregdetare” (ICZMP).

2. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike dhe Transportit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

  Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


***


V E N D I M

PËR

RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2011, MIRATUAR PËR MINISTRINË E BUJQËSISË, USHQIMIT DHE MBROJTJES SË KONSUMATORIT

Në mbështetje  të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për  menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 16, të ligjit nr.10 355,  datë 2.12.2010, “Për buxhetin e vitit 2011”,të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

3. Në buxhetin e vitit 2011, miratuar për Ministrisë së Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, të bëhet rishpërndarja e fondeve, si më poshtë vijon:

a) Në programin buxhetor 04240, “Menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes”, artikulli 600, “Paga personeli”, të shtohet fondi prej 2 800 000   (dy milionë e tetëqind mijë) lekësh.
b) Në programin buxhetor 04240, “Menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes”, artikulli 601, “Sigurime shoqërore e shëndetësore”, të shtohet fondi prej 714 000 (shtatëqind e katërmbëdhjetë mijë) lekësh.
c) Në programin buxhetor 04250, “Zhvillimi rural duke mbështetur bujqësinë, blegtorinë, agroindustrinë dhe marketingun”, artikulli 601, “Sigurime shoqërore e shëndetësore”,  të shtohet fondi prej 307 000 (treqind e shtatë mijë) lekësh.

ç) Në programin buxhetor 04220, “Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit”, artikulli 600, “Paga personeli”,  të zbritet fondi prej           2 800 000 (dy milionë e tetëqind mijë) lekësh.
d) Në programin buxhetor 04220, “Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit”, artikulli 601, “Sigurime shoqërore e shëndetësore”,  të zbritet fondi prej 1 021 000 (një milion e njëzet e një mijë) lekësh.

4. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe  Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim  hyn  në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I


SALI  BERISHA


***


V E N D I M


PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.691, DATË 21.5.2008,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE, PYJE DHE KULLOTA,  QË DO TË TRANSFEROHEN NË PRONËSI TË NJËSISË SË QEVERISJES VENDORE, BASHKIA PËRRENJAS, TË QARKUT
TË ELBASANIT”, DHE PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1642, DATË 17.5.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,
“PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE  TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË PËRRENJAS,  TË QARKUT TË ELBASANIT”, TË NDRYSHUAR


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutes, të neneve 2, 3 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtëshme publike në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, dhe të nenit 23, të lgjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:

1. Miratimin e një pakësimi në listën përfundimtare të pronave të paluajtshme, pyje dhe kullota, të transferuara në pronësi të bashkisë Përrenjas. Lista është me 1(një) fletë dhe mban numrat e pronave 501 deri në 502.

2. Miratimin e një shtese në listën e pronave të paluajtshme publike, pyje dhe kullota, që  transferohen në pronësi të bashkisë  Përrenjas. Lista është me 1(një) fletë, fillon me numër prone 883 e mbaron me 887.

3. Listat e ndryshuara dhe tabela me lidhjen numër 1 (një) i bashkëlidhën këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

4. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikes së Shqipërise dhe bashkia Përrenjas, e qarkut të Elbasanit, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I
 
SALI  BERISHA


***
 
V E N D I M
 
PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KËRKESAT  HIGJIENO - SANITARE TË PISHINAVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 8, të ligjit nr.7643,  datë 2.12.1992, “Për Inspektoratin Sanitar Shtetëror”, të ndryshuar, dhe të       pikës 4, të nenit 42, të ligjit nr.10 138, datë 11.5.2009,  “Për shëndetin publik”, me propozimin e ministrit ë Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Miratimin e rregullores “Për kërkesat higjieno - sanitare të pishinave”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Rregullorja nr.4, datë 10.5.1989, e ministrit të Shëndetësisë, “Për kërkesat higjieno - sanitare të pishinave”, shfuqizohet.

3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletore zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
 
SALI BERISHA


***


V E N D I M
 

PËR


NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2011, MIRATUAR PËR MINISTRINË E SHËNDETËSISË, PËR MBULIMIN E PJESSHËM TË SHPENZIMEVE TË KURIMIT TË Z. SADIK DOBI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936,    datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.10 355, datë 2.12.2010, “Për buxhetin e vitit 2011”,  të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë,  Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:


1. Ministrisë së Shëndetësisë në   buxhetin e miratuar për vitin 2011, në zërin “mallra dhe shërbime ”, t’i shtohet fondi prej 1 250 000 (një milion e  dyqind e pesëdhjetë mijë) lekësh, për mbulimin e pjesshëm  të  shpenzimeve  të  kurimit  të  z.Sadik Dobi.

2. Ky fond të përballohet nga  fondi  rezervë i Këshillit të Ministrave.

3. Pagesa të bëhet me  paraqitjen  e faturave origjinale të institucionit të kurimit.

4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
 
SALI  BERISHA


30/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›