E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Prokuroria Speciale jep detaje për aksionin ku u sekuestruan mbi 37 kilogramë heroinë

Një operacion i përbashkët i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka rezultuar me arrestimin e pesë personave dhe sekuestrimin e mbi 37 kilogramëve substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.

Detajet e këtij operacioni janë bërë të ditura në një konferencë për media nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca.


Ai ka njoftuar se në mesin e pesë të arrestuarve janë edhe dy shtetas të huaj.

“Mbrëmë Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka realizuar me sukses një aksion gjatë të cilit janë arrestuar pesë persona, dy prej të cilëve janë të huaj”, tha Paca, raporton Telegrafi.

“Janë sekuestruar mbi 37 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë”, shtoi ai.

Sipas Pacës, operacioni është rezultat i një hetimi të zhvilluar së fundmi, i cili është bazuar në informacione të siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

“Ky aksion është rezultat i një hetimi të zhvilluar së fundmi mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë, falë bashkëpunimit të ndërsjellë, me çka është realizuar në afat rekord”, deklaroi ai.

Ndërkaq, prokurori i rastit, Atdhe Dema, ka bërë të ditur se vlera e substancës së sekuestruar vlerësohet të jetë rreth 550 mijë euro.

“Mbrëmë është zhvilluar një aksion me sukses në një afat rekord të hetimeve në bashkëpunim me Policinë dhe AKI-në. Si rezultat i veprimeve të ndërmarra janë arrestuar pesë persona. Janë sekuestruar sasi prej 37 kg heroinë në vlerë prej 550 mijë euro”, tha Dema. /Telegrafi/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›