Prokuroria përfundon hetimet, ish drejtuesit e Urdhrit të Stomatologut përballen me drejtësinë për abuzim me fondet

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë përfundoi hetimet dhe ka dërguar në gjyq ish-presidentin e Urdhrit të Stomatologut,Nikoll Deda dhe zv/presidenten A.G., për tre vepra penale: “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, sipas nenve 135, 248 dhe 321 të Kodit Penal.
Hetimet zbuluan se Nikoll Deda në cilësinë e presidentit të Urdhrit të Stomatologut, ka keqpërdorur detyrën duke rritur buxhetin e organizatës për përfitime personale dhe duke punësuar familjarë pa kriter, për të manipuluar vendimmarrjet e Këshillit Kombëtar që nga viti 2016. Ai është akuzuar për përdorimin e fondeve pa justifikim të duhur, përfshirë pagesa fiktive dhe tjetërsim fondesh në favor të familjarëve të tij dhe të tretëve.
Zv/presidentja A.G. akuzohet për vendime financiare të paligjshme lidhur me buxhetin e vitit 2024, duke autorizuar zbatimin e një buxheti të përkohshëm në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Administrative, gjatë kohës kur Urdhri i Stomatologut ishte nën masë sigurimi. Kjo ka bërë që ajo të përballet me akuza për shpërdorim detyre dhe veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës.
Materialet e procedimit penal janë dërguar në Gjykatë për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv