E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria spanjolle hap hetim ndaj Julio Iglesias, akuzohet për trafikim njerëzor dhe dhunë seksuale

Legjenda e muzikës latine, Julio Iglesias, është vënë në qendër të një hetimi penal nga autoritetet spanjolle. Prokurorët kanë konfirmuar se po hetojnë akuzat e dy ish-punonjëseve, të cilat pretendojnë se janë sulmuar seksualisht dhe janë mbajtur në kushte skllavërie në rezidencat e këngëtarit në Karaibe.

Edhe pse krimet e dyshuara kanë ndodhur në Republikën Dominikane dhe Bahamas gjatë vitit 2021, sistemi ligjor spanjoll lejon ndjekjen penale të shtetasve të vet për krime të kryera jashtë vendit, veçanërisht kur bëhet fjalë për shkelje të rënda si trafikimi apo abuzimi seksual.

Organizata “Women’s Link Worldwide”, e cila përfaqëson dy gratë, ka dorëzuar prova në Gjykatën Kombëtare të Spanjës. Akuzat përfshijnë:

Sulm seksual dhe fizik. Ngjarjet dyshohet të kenë ndodhur mes janarit dhe tetorit 2021.

Trafikim njerëzor pasi gratë pretendojnë se u janë marrë telefonat, janë ndaluar të dalin nga rezidencat dhe janë detyruar të punojnë deri në 16 orë pa ditë pushimi.

Skllavëri moderne, lidhur mungesën e kontratave dhe kontroll total mbi lëvizjet e tyre.

Prokuroria i ka dhënë grave statusin e “dëshmitareve të mbrojtura”, një hap që tregon seriozitetin e çështjes. Avokatët e 82-vjeçarit Iglesias nuk kanë dhënë ende asnjë koment zyrtar.

Karriera e Iglesias

Iglesias, 82 vjeç, është një nga artistët më të suksesshëm muzikorë në botë, pasi ka shitur më shumë se 300 milionë disqe në më shumë se një duzinë gjuhësh. Pasi nisi karrierën e tij në Spanjë, ai fitoi popullaritet të madh në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën në vitet 1970 dhe 1980. Ai është babai i këngëtarit pop Enrique Iglesias.

Julio Iglesias fitoi një çmim Grammy në vitin 1988 për Performancën më të Mirë Latine Pop për albumin e tij “Un Hombre Solo”. Ai gjithashtu mori një çmim për Arritje të Jetës në Grammy në vitin 2019.

Ministri i kulturës i Spanjës tha të mërkurën se qeveria e saj e krahut të majtë, e cila i ka të drejtat e grave dhe barazinë midis prioriteteve të saj, do të shqyrtojë gjithashtu heqjen e Medaljes së Artë të Meritës në Artet e Bukura për Iglesiasin, e cila iu dha në vitin 2010.

“Është diçka që po e studiojmë dhe po e vlerësojmë, sepse me sa duket ndihemi të detyruar ta bëjmë këtë kur përballemi me një rast kaq serioz”, tha Ministri i Kulturës Ernest Urtasun.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›