E Hënë, 2 Nëntor 2026

Propozimi i Trumpit-Netanjahu dërgon zyrtarisht në Egjipt ekipin negociator

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka urdhëruar zyrtarisht ekipin negociator izraelit të niset drejt Egjiptit për të finalizuar detajet teknike të një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve të mbajtur nga Hamasi në Gazë.

Deklarata vjen në një moment kritik të negociatave të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, pas pranimit të pjesshëm të Hamasit për planin e presidentit Donald Trump për të përfunduar luftën e zgjatur pothuajse dy vjeçare.

Netanjahu shprehu shpresën se të gjithë pengjet do të kthehen në shtëpi “brenda pak ditësh”, duke theksuar se negociatat do të kufizohen në “një afat të shkurtër kohor”.

Ky zhvillim shënon hapin më të rëndësishëm drejt një armëpushimi të mundshëm, por tensionet në terren mbeten të larta, me bombardimet izraelite që vazhdojnë në Gazë pavarësisht thirrjeve për pezullim.

Në një deklaratë të publikuar nga zyra e tij, Netanjahu konfirmoi se ministri i Çështjeve Strategjike Ron Dermer do të udhëheqë delegacionin izraelit, por ai nuk do të udhëtojë menjëherë me ekipin e tjerë.

“Unë kam urdhëruar ekipin negociator të nisë drejt Egjiptit për të finalizuar marrëveshjet teknike për lirimin e pengjeve tanë. Qëllimi ynë është të kufizojmë këto negociata në një afat prej disa ditësh. Brenda pak ditësh, ne do të mund të shpallim se të gjithë pengjet tona do të kthehen në shtëpi”, tha ai.

 Ai shtoi se pas lirimit të pengjeve, “Hamas-i do të çarmatoset dhe Gaza do të demilitarizohet”, qoftë nëpërmjet planit diplomatik të Trump-it, qoftë nëpërmjet veprimit ushtarak izraelit – një paralajmërim i qartë ndaj militantëve palestinezë.

Sipas zyrës së Kryeministrit (PMO), negociatorët izraelitë, përveç Dermer-it, do të nisen të dielën drejt Sharm El-Sheikh-ut, një vendndodhje e ndryshuar nga e paraparë fillimisht në Kajro.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›