E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e 16-të kundër investimit në Zvërnec, kërkohet të mos bllokohet aksi drejt aeroportit

TIRANË, 15 qershor /ATSH/ Në Tiranë po zhvillohet sot protesta e gjashtëmbëdhjetë kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës, ku qytetarë dhe aktivistë nga shoqëria civile dhe parti politike, u grumbulluan në sheshin “Skënderbej” për të marshuar përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë.

Protestuesit ngritën pankarta dhe artikuluan thirrje që lidhen jo vetëm me kundërshtimin e projektit në Zvërnec, por edhe me çështje të tjera politike dhe shoqërore. Ata kërkuan dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, largimin e Sali Berishës nga drejtimi i opozitës, hetimin e pasurive të politikanëve, si dhe kundërshtuan atë që e cilësuan si shitje të pasurive kombëtare.

Gjatë marshimit, pjesëmarrësit vendosën theksin te mbrojtja e natyrës dhe e pasurive publike, duke e lidhur kauzën e tyre me nevojën për më shumë transparencë dhe përgjegjshmëri nga institucionet.

“Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, “Shqipëri e re”, “Nesër më shumë” dhe “Pa rini nuk ka Shqipëri” ishin disa nga sloganet që u dëgjuan në kor nga protestuesit përgjatë bulevardit.

Gjatë fjalës së tij kur qytetarët po grumbulloheshin në sheshin “Skënderbej”, aktivisti Alben Kola tha se cilët janë organizatorët. “Tre personat nismëtarë jemi: Luçiana Kokaj nga Rrjolli, Alben Kola nga Kukësi dhe Arlinda Lleshi nga Lezha”. Ai kërkoi nga protestuesit që marshimi të jetë brenda unazës së Tiranës, duke u kufizuar tek Zogu i Zi, 21 Dhjetori, sheshi “Wilson”, dhe “Bërryli”, “Farmacia 10” dhe “Ish-Treni”.

Ai tha se protesta do të jetë paqësore dhe nuk do të ketë bllokim të aksit për në Aeroport. “Nuk i bllokojmë ne turistët, nuk bllokojmë aeroportin nga ku vijnë vëllezërit dhe motrat tona nga diaspora. Ne duam vetëm largimin e kësaj klase politike”, tha ai.

Në sheshin përpara Kryeministrisë, në një podium të improvizuar, një ish-minator në minierat e Valiasit u bëri thirrje edhe prindërve të të rinjve që t’i bashkohen protestës.

“Më bëhet zemra mal që shoh gjithë këto njerëz. Kam protestuar si ish-minator. Në ‘90-ën kur ne bëmë protesta na erdhën prindërit dhe na mbështetën, u bëj thirrje prindërve që të vijnë t’u bashkohen fëmijëve, mos t’i lënë vetëm”, tha ai.

Një tjetër protestuese tha se establishmenti politik po e fal Shqipërinë, ndërsa kërkoi dorëheqjen e Kryeministrit dhe drejtuesit të opozitës.

“Me zemër, të gjithë shqiptarët janë këtu, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ne jemi këtu për t’u thënë: boll është boll! Ky establishment po e fal Shqipërinë dhe kjo nuk do të lejohet më! Ky shesh po u tregon vendin të gjithëve, ne e kemi thyer frikën pikërisht në këtë shesh!”, tha ajo.

Protestuesit pasi qëndruan mbi dy orë në sheshin përballë Kryeministrisë, nisën marshimin përgjatë rrugëve të Tiranës, duke kaluar te sheshi “Wilson”, Rruga e Elbasanit, më tej te Parlamenti, etj.

Protesta për Zvërnecin, foto: Florian Abazaj 1 nga 31

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›