Protesta e 73-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Qytetarë u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej”, në protestën e 73-të kundër investimit turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit.
Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë, duke kundërshtuar projektin dhe duke parashtruar edhe kërkesa lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Me pankarta dhe flamuj kombëtarë, protestuesit kërkuan shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që ata e cilësuan “kastë të vjetër politike”.
Aktivisti Edison Lika tha se shtatori do të rikthejë në shesh mijëra qytetarë.
“Fillimi i shtatori nuk do të shënojë vetëm uljen e temperaturave por do të bëjë gati edhe valixhet përfundimisht ë pushtetit të Edi Ramë. Kanë bërë çdo gjë për ta fikur këtë protestë, ama kjo protestë ndezi zjarrin e shpresës së shqiptarëve. Këtë zjarr ata nuk e fikin dot”, tha Lika.
Më pas ai deklaroi se qeveria mund të jetë tërhequr nga projekti TID në Durrës pas kundërshtive të vazhdueshme të banorëve të zonës.
“Shembull i këtyre fitoreve është qëndresa që kanë bërë për Durrësin qytetarët kundër projektit TID. Ndaj pas shumë protestave, jo vetëm këtu, por edhe në Durrës, duket sikur qeveria është tërhequr nga projekti TID. Kjo është një fitore e të gjithë durrsakëve, e këtij sheshi dhe e të gjithë shqiptarëve”, shtoi ai.
Pas fjalimeve përpara Kryeministrisë, protestuesit marshuan nëpër rrugët e Tiranës.
Protesta e 73-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë, foto: Florian Abazaj 1 nga 15k.s/j.p/