E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e PD- Boçi: Policia e Shtetit e politizuar, jashtë rolit dhe funksionit të saj

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, ka lëshuar akuza të forta ndaj Policisë së Shtetit pas përfundimit të protestës së opozitës. I ftuar në studion e emisionit “Trialog” në RTSH, Boçi e cilësoi reagimin e uniformave blu si të porositur politikisht dhe jashtë çdo standardi ligjor.

Sipas numrit dy të PD-së, sjellja e policisë në terren dëshmoi se ajo nuk funksionon si një strukturë e pavarur shtetërore, por si mbrojtëse e interesave të qeverisë.

“Policia ishte jashtë rolit dhe funksionit të saj. Duhej ta kuptonte që nuk është zgjatim i një pushteti. Policia është e trajnuar për t’u përballur me situata të tilla dhe nuk e kuptoj ndjeshmërinë që kanë ata për të reaguar në formë brutale,” u shpreh Boçi.

Boçi pretendoi se përdorimi i ujit dhe gazit lotsjellës nuk ishte i rastësishëm, por kishte për qëllim goditjen e figurave kryesore të opozitës që ndodheshin në rreshtin e parë.

“Pas hedhjes së ujit, u shënjestruan drejtuesit, pra ata që frymëzojnë dhe thërrasin njerëz. Ishte sulm me porosi, edhe unë u godita. Shtimi i agresivitetit ishte i njëjtë si herët e tjera,” theksoi ai.

Për deputetin demokrat, përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi zinxhirin komandues, duke nisur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë e deri te Kryeministri.

“Faji së pari bie mbi drejtorin, pasi ai merr urdhra politikë. Policia për mua është e inkriminuar dhe kjo vjen për arsye të mbështetjes politike. Ajo është e Kryeministrit, jo e qeverisë; një grup i caktuar që e ka politizuar kaq shumë duke mbajtur në krye persona të inkriminuar,” përfundoi Boçi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›