Protesta e PD/ Policia e Shtetit: 11 efektivë kanë mbetur të lënduar, 23 protestues të shoqëruar

Gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë, të thirrur dhe organizuar nga Partia Demokratike, 11 punonjës policie kanë mbetur të lënduar si pasojë e sulmeve me molotovë, lëndë piroteknike dhe sende të forta, të hedhura drejt tyre pranë Kryeministrisë dhe godinës së Kuvendit.
Policët e dëmtuar, të cilët ishin në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjen e protestës, kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies.
Ata janë vizituar nga drejtori vendor i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, si dhe Zëvendësdrejtori për Rendin, Dashnor Muhaj.
Sipas Policisë së Shtetit, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme përmes qendrës së zërit për ndalimin e akteve të dhunës, protestuesit kanë vijuar veprimet e paligjshme, duke detyruar ndërhyrjen e forcave të rendit për shpërndarjen e turmës, në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur menjëherë procedurat për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë.
Ndërkohë, shërbimet policore po analizojnë pamjet filmike për identifikimin e personave të përfshirë në akte dhune dhe shoqërimin e tyre. Deri më tani janë shoqëruar 23 persona, nga të cilët një ka rezultuar i mitur. Për këtë rast janë njoftuar menjëherë prindërit dhe i mituri ka qëndruar në ambientet e pritjes së qytetarëve, deri në marrjen e tij nga prindërit, pa u shoqëruar në dhomat e ndalimit.
Policia njofton se hetimet vijojnë për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të përfshirë në aktet e dhunës.