E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e dymbëdhjetë për Zvërnecin në kryeqytet

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Qytetarët u mblodhën sërish sot në ditën e dymbëdhjetë në protestën kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës në sheshin “Skënderbej” duke vijuar të kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, largimin e Berishës nga drejtimi i opozitës, hetimin e pasurive të politikanëve dhe duke u shprehur kundër shitjes së pasurive kombëtare.

Pas grumbullimit në shesh, protestuesit marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u rigrumbulluar përpara Kryeministrisë.

Edhe pankartat e ditës së sotme sollën në vëmendje ruajtjen e natyrës dhe problematikat e tjera që i kanë mbledhur së bashku protestuesit për ditë me radhë.

“Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, “Shqipëri e re”, “Nesër më shumë”, “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe të tjera thirrje u dëgjuan në kor nga protestuesit ndërsa ata marshuan në bulevard.

Në foltoren e ngritur enkas për protestën, përfaqësues të grupit koordinues të protestës thanë se për shumë vite klasa politike ka dashur të ngulisë idenë se jemi të gjithë të korruptuar. “Ata na e kanë sjellë në majë të hundës dhe duhet të dorëhiqen. Sa bukur është të vish këtu dhe të thuash të vërtetën tënde, atë që mediet nuk e kanë thënë për 36 vjet”, tha përfaqësuesja e protestës.

Ajo e cilësoi antimiting tubimin e nesërm për ditëlindjen e 35-të të PS të thirrur në sheshin “Italia” duke bërë thirrje për të mos u provokuar.

Sipas saj, ajo proteston për ata që u detyruan të ikin e të marrin rrugët e Evropës, për kolegët që duhet të jenë idjotë funksionalë që mbledhin vota e jo njerëz të shkolluar, për një Shqipëri të re ku ka shërbim e jo mbledhje fondesh për t’u shëruar, për të mos vdekur më punonjës nëpër skela ku pronari nuk jep as dëmshpërblim, për drejtësi të re që i shkon hetimeve deri në fund.

Sipas saj, protestuesit janë në shesh që në Shqipëri të mos vendosin pesë oligarkë.

Më pas fjalën e morën përfaqësues të mërgatës dhe intelektualëve. Një protestuese informoi se në diasporë po organizohen për të marrë pjesë në protestë.

Ambientalistët po ashtu e vunë theksin tek rëndësia e lagunës së Nartës që sipas tyre është e rëndësishme jo vetëm për vendin, por për të gjithë Evropën pasi është rrugë shtegtimi e shumë specieve.

Protesta u mbyll me marshimin e protestuesve në bulevard dhe rrugët kryesore të Tiranës.

Dita e dymbëdhjetë e protestës për Zvërnecin në kryeqytet, foto: Florian Abazaj 1 nga 26

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›