E Martë, 3 Nëntor 2026

Protesta e maturantëve të komunitetit serb, Sveçla: Propagandë, asgjë e re prej tyre

PRISHTINË, 24 maj/ATSH/- Një tubim i maturantëve të komunitetit serb në veri është përdorur nga këta të fundit për provokime nacionaliste dhe shoviniste, si pjesë e propagandës së Serbisë kundër shtetit të Kosovës.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se serbët si pjesë e propagandës së tyre edhe kërkesat e Policisë së Kosovës për rend dhe qetësi i quajnë “dhunë”.

“Ja si duket propaganda serbe: Edhe kërkesën e zyrtarit policor që grupi mos të provokojë qytetarët në mënyrë që situata mos të eskalojë ata (serbët) e quajnë dhunë dhe vendosjen e dorës e quajnë “ngulfatje”. Shfaqjet e tyre të ekstremizmit dhe shovinizmit i quajnë festë, kurse ngjyrën e kuqe me të cilën ata kanë ngjyrosur figura të ndryshme në trup tentojnë ta paraqesin si gjak. Asgjë e re nga ta”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka theksuar se propaganda serbe mund të ketë efekt vetëm te personat e painformuar dhe qarqet nacionaliste në Serbi.

Maturantët serbë të premten gjatë një tubimi kanë provokuar me thirrje nacionaliste dhe duke ngritur tre gishta.

Policia e Kosovës ka kërkuar prej tyre ruajtjen e rendit dhe qetësisë në qytet, ndërsa Serbia ka propaganduar se “ndaj serbëve po përdoret dhunë.”

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›