E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta kundër investimit në Zvërnec në ditën e katërmbëdhjetë

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Qytetarët u mblodhën sërish sot, në ditën e katërmbëdhjetë, në protestën kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës.

Me protestat e tyre ata vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, largimin e Berishës nga drejtimi i opozitës, hetimin e pasurive të politikanëve si dhe duke u shprehur kundër shitjes së pasurive kombëtare.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbledhur përpara Kryeministrisë.

Sërish ditën e sotme me pankartat e tyre ata sollën në vëmendje ruajtjen e natyrës dhe problematikat e tjera që i kanë mbledhur së bashku protestuesit për ditë me radhë.

“Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, “Shqipëri e re”, “Nesër më shumë”, “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe të tjera thirrje dëgjoheshin në kor nga protestuesit, ndërsa ata marshuan në bulevard.

Në foltoren e ngritur enkas për protestën aktivistja dhe protestuesja Luçiana Kokaj tha se “kemi arritur një fitore të vogël sot në Rrjoll, kemi arritur të heqim telat me gjemba, që qeveria nuk i ka hequr dot. Kemi çliruar një pjesë të Rrjollit të gjithë së bashku. Por nëse nuk çlirojmë Shqipërinë, asgjë nuk kemi arritur. Sot kemi sjellë një pjesë të vogël nga gardhi që kemi hequr në Rrjoll. E kemi sjellë këtu para Kryeministrisë, që ata të kuptojnë që nuk ka gardh që të ndajë shqiptarët”.

Përpara Kryeministrisë, protestuesit kishin vendosur edhe disa këpucë, që përfaqësonin të gjithë ata qytetarë që janë detyruar të emigrojnë.

“Kemi sjellë edhe një palë këpucë, për të gjithë ata që nuk janë këtu me ne, që janë larguar. Dhe jam e bindur, që nëse të gjithë do sjellim nga një palë këpucë për ata që nuk janë më këtu, këtu do të bëhet një mal shumë i madh, më i madh se Holokausti”, tha Kokaj.

Një tjetër protestues tha se “sot është dita e Diasporës dhe fjalimet do t’ia kushtojmë asaj”.

Një tjetër protestues u shpreh se “dinjiteti i shqiptarëve nuk ka humbur dhe se revolta në shesh vjen si pasojë e arrogancës së një shteti që i ka lënë qytetarët e tij të pambrojtur”.

Protestës iu bashkua edhe Florina Cani, mamaja e Martin Canit, 14-vjeçarit të vrarë me thikë në Tiranë.

Në fjalën e saj, Florina Cani tha se “mendova të bashkohem me ju sot dhe të ngre zërin për fëmijët shqiptarë kudo që janë. Duam siguri, e çuam në shkollë dhe nuk u kthye. Jo nga paedukata, por nga pakujdesia e këtyre, që e kanë degraduar arsimin, shëndetësinë dhe të gjitha me radhë”.

Pas fjalimeve protestuesit nisën marshimin në bulevard dhe rrugët kryesore të Tiranës. Më pas ata u mblodhën sërish në sheshin “Skënderbej”, ku edhe mbyllën protestën e sotme.

Dita e 14-të e protestës për Zvërnecin/ Fotoreporter: Florian Abazaj 1 nga 25

/k.s/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›