E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta kundër investimit në Zvërnec në ditën e shtatëmbëdhjetë

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Qytetarë dhe aktivistë nga shoqëria civile u mblodhën sot në ditën e shtatëmbëdhjetë në protestën kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës.

Gjatë grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, u njoftua, që duke nisur nga nesër protesta do të nisë në orën 19:00.

Një prej nismëtarëve, Alben Kola ka njoftuar se sot nuk do të mbajë askush fjalime, përveç të rinjve. “Protesta do të vijojë paqësore. Nuk jemi kundër partive, por kryetarëve të tyre”, u shpreh Kola, i cili foli edhe për itinerarin e marshimit.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbledhur përpara Kryeministrisë.

Qytetarët me protestat e tyre vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e Berishës nga drejtimi i opozitës, hetimin e pasurive të politikanëve si dhe duke u shprehur kundër shitjes së pasurive kombëtare.

Me pankartat e tyre ata sollën në vëmendje ruajtjen e natyrës dhe problematikat e tjera që i kanë mbledhur së bashku protestuesit për ditë me radhë.

“Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, “Shqipëri e re”, “Nesër më shumë”, “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe të tjera thirrje dëgjoheshin në kor nga protestuesit, ndërsa ata marshuan në bulevard.

Një protestues me profesion mësues tha se “sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për qytetarë të përgjegjshëm. Studentët janë pjesa më delikate dhe e masakruar në 35 vjet. Ju flet një njeri që fëmijën e tij e ka arsimuar në Shqipëri dhe e ndien çdo ditë dhimbjen se do të ikë jashtë. Është koha të reagojmë për brezin e ri dhe mos të mashtrohemi më si më 1992”.

Ndërsa një protestuese u shpreh se “kam mbaruar studimet me ekselencë në Torino dhe erdha në Shqipëri me mendimin se do të njehsoja diplomën dhe do të gjeja punë menjëherë. Ka kaluar një vit e gjysmë dhe diploma nuk është njehsuar”.

“Jemi këtu edhe për personat me aftësi të kufizuara. Duam një Shqipëri me vlera, jam edhe për motrën e vëllain që emigruan shumë herët. Organizatorë jemi të gjithë ne. Kryeministër, nëse gjërat janë kaq mirë në Shqipëri, pse po largohen njerëzit dita-ditës? Shfuqizo ligjin e investimit strategjik, jep dorëheqjen!”, tha ajo.

Një tjetër protesuese u shpreh se “jam lindur dhe rritur në Angli, por kam vendosur të rikthehem për t’i dhënë një të mirë vendin tim. Kam parë nepotizmin që na merr mundësitë, por shoh edhe një të ardhme që jeni ju”.

Në protestë ishte e pranishme edhe këngëtarja e njohur Gala Dragot, e cila në fjalën e saj tha se “jam kaq e lumtur që jeni të ndërgjegjshëm për të ardhmen që doni. Unë kam qenë në protestën e studentëve kur isha 13 vjeç. Më kujtohet si më mbushi me shpresë. Sot jam këtu për t’ju kujtuar që duhet të keni kurajë pafund që të bëni ndryshim”.

“Liria nuk dhurohet, liria negociohet dhe duhet të luftosh për ta fituar! Jam e lumtur të them se brezi im do ta shpëtojë këtë vend”, tha Dragot.

Pas fjalimeve protestuesit kryen marshimin në bulevard dhe rrugët kryesore të Tiranës.

Protesta 17 qershor, foto: Florian Abazaj 1 nga 23

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›