E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta kundër planit për ndërtimet në Zvërnec, Konferenca Ipeshkvore: Të dëgjohet zëri i qytetarëve

Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë ka reaguar përmes një deklarate publike lidhur me protestat që po zhvillohen në Shqipëri dhe në diasporë kundër projektit të investimit në Zvërnec.

Konferenca Ipeshkvore shprehet se po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit shoqërore, duke theksuar se çdo projekt zhvillimi duhet të respektojë mbrojtjen e mjedisit dhe të drejtat e pronësisë së qytetarëve.

Në deklaratë, nënvizohet se vlerësimi i ndikimit mjedisor, konsultimi me komunitetet lokale dhe përfshirja e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e natyrës janë elementë të domosdoshëm për çdo nismë zhvillimore. Në këtë kuadër, deklarata i referohet edhe mesazhit të Papa Françesku në enciklikën Laudato Si’, ku theksohet rëndësia e transparencës, dialogut dhe informimit publik për projektet me ndikim mjedisor.

Konferenca Ipeshkvore vëren se protestat e ditëve të fundit kanë nxjerrë në pah shqetësimet për mjedisin dhe pronën. Sipas saj, zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe të merret në konsideratë nga të gjitha palët politike.

“Nuk mund të injorohet zëri i shumë njerëzve që kanë të vetmen agjendë mirëqenien e familjeve të tyre dhe të shoqërisë”, thuhet në deklaratë, ku kërkohet që politika të zgjedhë dialogun dhe të japë përgjigje ndaj shqetësimeve të qytetarëve.

Konferenca Ipeshkvore i bën thirrje qeverisë, opozitës dhe të gjithë aktorëve politikë që të ndjekin rrugën e dialogut demokratik, duke vendosur në qendër interesin e qytetarëve, mbrojtjen e mjedisit dhe perspektivën evropiane të vendit.

Deklarata e plotë:

Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë po ndjek me kujdes zhvillimet shoqërore në vendin tonë, veçanërisht protestat që po zhvillohen në qytetin e Tiranës, në qytete të tjera të Shqipërisë dhe në diasporë. Shkak për këto protesta kanë qenë disa projekte që prekin zona natyrore të mbrojtura ose ku ndërthuren probleme të pronësisë, për të ndërtuar këto objekte që synojnë zhvillimin e një turizmi elitar. Nga ana jonë, si Ipeshkvij të Kishës Katolike, vlerësojmë se çdo zhvillim i vendit duhet të ketë parasysh mbrojtjen e ambientit, por edhe respektimin e pronës së gjithkujt. Papa Françesku, në Letrën e tij Enciklike Laudato Si’, thotë: «Parashikimi i impaktit ambiental të sipërmarrjeve dhe të projekteve kërkon procese politike transparente dhe që i nënshtrohen dialogut, ndërsa korrupsioni, që fsheh impaktin e vërtetë ambiental të një projekti, në këmbim të favoreve, shpesh shkon drejt marrëveshjeve të paqarta që i ikin detyrimit për të informuar dhe një debati të thelluar» (LS 182).

Në këtë kuptim, vlerësimi, konsultimi dhe përfshirja e komuniteteve lokale që jetojnë aty dhe e agjencive që merren me mbrojtjen e ambientit është më se i domosdoshëm. Për ne, kjo gjë quhet zhvillim integral, që duhet të marrë parasysh të gjitha dimensionet e jetës njerëzore, si ato individuale, ashtu edhe ato komunitare. Sikurse thoshte Shën Pali VI, ky zhvillim duhet të përfshijë të gjithë njerëzit dhe krejt njeriun (Populorum Progressio, 42). Kjo është pjesë e Doktrinës Shoqërore të Kishës, dhe ne ftojmë që çdo projekt zhvillimi të bëhet duke marrë parasysh jo vetëm krijimin e strukturave si qëllim në vetvete, por të ketë në qendër njeriun, me nevojat dhe të drejtat e tij private dhe komunitare.

Protestat e këtyre ditëve dhe pjesëmarrja e madhe e rinjve dhe familjeve në to kanë nxjerrë në pah edhe një pakënaqësi ndaj sistemit politik aktual. Kjo pakënaqësi është vërejtur në pjesëmarrje dhe në artikulimin e shumë protestuesve. Kishat nuk kanë për detyrë të gjejnë zgjidhje, por të orientojnë ndërgjegjet. Ne jemi të bindur se zëri i njerëzve duhet të dëgjohet dhe të lexohet. I takon politikës të gjejë zgjidhje brenda kuadrit politik dhe demokratik. Këto janë rregullat e demokracisë evropiane, ku ne aspirojmë të shkojmë. Nuk mund të injorohet zëri i shumë njerëzve që kanë të vetmen agjendë mirëqenien e familjeve të tyre dhe të shoqërisë, dhe që shprehin pakënaqësinë për veprimet ose mosveprimet e politikës. Zëri i të gjithëve duhet të dëgjohet dhe të vlerësohet me kujdes e respekt nga politika, qeveria dhe opozita.

Ne ftojmë përfaqësuesit e politikës që të zgjedhin tryezën e dialogut, të japin përgjigjet e duhura ndaj qytetarëve të thjeshtë të popullit tonë që kërkojnë të mos anashkalohen, të dëgjojnë zërin e të rinjve që kanë të drejtën të ndërtojnë jetën e tyre këtu, pa iu nënshtruar fatalisht humbjes së shpresës dhe rrugës së emigrimit, plagë e cila në vitet e fundit ka emrin shpopullim i vendit. Ne i lutemi Hyjit për popullin tonë, për politikën dhe për të gjithë njerëzit vullnetmirë të këtij vendi, që të gjejnë, bashkë me rrugën e dialogut politik dhe shoqëror, edhe zgjidhjet e duhura brenda kornizave politike dhe demokratike të një vendi që ka si synim integrimin evropian. Zoti e bekoftë Shqipërinë!

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›