“Protesta kundër qeverisë”, Berisha: Zëri i shqiptarëve është ngritur fort

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, ku ka përshëndetur protestat kundër qeverisë dhe ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama.
Berisha deklaroi se qytetarët shqiptarë janë “ngritur në protestë kundër narkokraturës kleptokratike të Edi Ramës”, duke shtuar se zëri i protestuesve është dëgjuar, sipas tij, jo vetëm në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, por edhe në metropolet europiane dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai dënoi gjithashtu krahasimin e bërë nga Rama, sipas tij, mes protestuesve dhe “falangave të Hitlerit”, duke e cilësuar këtë deklaratë si “jashtëzakonisht të rëndë”.
Në vijim të reagimit, Berisha u ndal edhe te debati mbi përdorimin e sloganit “Shqipëria, shqiptarëve”, duke e lidhur atë me figura historike dhe interpretime politike, ndërsa akuzoi kryeministrin për deformim të konteksteve historike.
Ai u shpreh se Rama po përdor, sipas tij, “etiketime ekstreme” ndaj kundërshtarëve politikë dhe e krahasoi diskursin e tij me një qasje të ashpër ideologjike.
Berisha ngriti gjithashtu akuza për deklaratat ndërkombëtare të kryeministrit, duke iu referuar komenteve mbi “luftë hibride” dhe investimet e huaja në Shqipëri, të cilat i cilësoi si të pabazuara.
Në fund të qëndrimit të tij, ai bëri edhe krahasime historike dhe politike, duke akuzuar Ramën për retorikë përçarëse dhe për përdorim të narrativave të forta politike ndaj kundërshtarëve.