E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta kundër qirave të larta në Portugali, policia ndërhyn me shkopinj gome dhe shpërndan protestuesit! Hiqen mbi 50 çadra nga sheshi në Lisbonë

Policia portugeze ndërhyri në orët e para të mëngjesit të së dielës në sheshin Rossio të Lisbonës, ku shpërndau qindra protestues dhe hoqi mbi 50 çadra të ngritura pas protestave kundër projektligjit të qeverisë për qiratë.

Dhjetëra efektivë, mes tyre edhe policë me qen, hynë në kamp pasi komandanti i policisë, Juri Rodrigues, i kishte paralajmëruar tri herë protestuesit që t'i largonin vetë çadrat e vendosura pa leje. Ai paralajmëroi gjithashtu se personat që do të kundërshtonin ndërhyrjen do të përballeshin me akuza për pengim të punonjësve të policisë.

Sipas Reuters, policia përdori mburoja dhe në disa raste shkopinj gome për të shpërndarë qindra qytetarët që po mbronin kampin.

Çadrat ishin ngritur pas marshimit të së shtunës në qendër të Lisbonës, ku morën pjesë disa mijëra njerëz. Të dielën, policia largoi edhe një kamp tjetër më të vogël në sheshin Dom Joao I, në Porto.

Deputeti socialist Pedro Delgado Alves deklaroi përpara ndërhyrjes se situata në sheshin Rossio ishte e qetë. Sipas tij, asgjë nuk e justifikonte përdorimin e forcës nga policia, duke iu referuar edhe skenave të një jave më parë, kur efektivët shpërndanë protestuesit me shkopinj gome dhe arrestuan dhjetëra persona.

Protestuesit kërkojnë që qeveria të tërheqë projektligjin që lehtëson dëbimet me forcë nga banesat dhe heq kufizimet mbi qiratë për kontratat e reja.

Projektligji ka kaluar leximin e parë në parlament, ndërsa partia e ekstremit të djathtë, Shega, abstenoi. Kryeministri Luis Montenegro refuzoi të enjten të tërhiqte propozimin, por deklaroi se ishte i hapur për ndryshime përpara votimit përfundimtar, që pritet në javët e ardhshme.

Ndërkohë, kreu i Partisë Socialiste, Jose Luis Carneiro, i bëri thirrje qeverisë të shtunën që të dialogojë me opozitën dhe protestuesit, duke paralajmëruar se nuk duhet t'i imponojë qëndrimet e saj “me arrogancë dhe ndonjëherë edhe me tone autoritare”.

Portugalia po përballet me një nga krizat më të vështira të strehimit në Europë, ku të rinjtë janë ndër më të prekurit. Çmimet e pronave janë më shumë se dyfishuar që nga viti 2017, ndërsa qiratë për kontratat e reja pothuajse janë dyfishuar.

Protestat kundër çmimeve të larta të banesave janë shtuar javët e fundit edhe në Spanjë, Francë, Gjermani dhe vende të tjera europiane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›