E Hënë, 2 Nëntor 2026

Protesta në mbështetje të naftëtarëve-Kondi Ilia: Institucionet të ngrenë grupe pune për zgjidhjen e këtij problemi

Koordinatori i Unionit të Sindikatave Kondi Ilia deklaroi për emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH1 se institucionet përkatëse duhet të dëgjojnë problemet me të cilat hasen naftëtarët në Marinzë dhe të ngrenë grupe pune për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Duke folur për protestën e ditës së sotme para Ministrisë së Energjetikës, nga ana e shoqërisë civile dhe sindikatave të tjerë në mbështetje të naftëtarëve, Ilia tha se sot u dha një mesazh i qartë kundrejt këtij institucioni për të zgjidhur problemin e naftëtarëve.

“Kjo protestë u ndërmor në kuadër të advokimit që kanë sindikatat. Nga njëra na2ë sindikata e sektorit të Hidrokarbureve është nën umbrellën federative të Unionit të Sindikatave, dhe sindikatat u solidarizuan me një anëtar të tyre siç është sindikata e sektorit hidrokarbur, e cila e ka treguar me aksionet e saj sindikaliste për të mirën e punëtorëve dhe rritjen e pagës së punëtorëve.

Në këtë kontekst ne advokojmë edhe në nivelin kombëtar së bashku me shoqërinë civile siç u mblodhëm sot para Ministrisë së Energjetikës për të dhënë një mesazh të qartë që këto probleme që së pari janë probleme sociale që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë cilësinë e jetës së punëtorëve, cilësinë e jetës së njeriut, e qytetarëve tanë duhet të dëgjohen dhe të ngrihen grupe pune nga Ministria e Energjetikës me qëllim që të dëgjohen dhe të zgjidhin problemet e tyre”, u shpreh Ilia.

Ai vuri në dukje se naftëtarët kanë ndërmarrë një akt ekstrem duke hyrë në grevë urie dhe sipas Ilias, ata kërkojnë standarde dhe pagë dinjitoze.

“Jemi përballë aktit ekstrem siç është greva e urisë çka do të thotë se nuk janë dëgjuar. Nuk janë dëgjuar dhe nuk po dëgjohen për të vetmen arsye sepse pagat e tyre janë shumë diskriminuese në raport me punëdhënës të tjerë në këtë kompani dhe nga ana tjetër pagat janë shumë të ulëta në raport me pagën që ka sektori i naftës, dhe dihet që naftëtarët punojnë në një sektor mjaft të vështirë.

Jemi përballë vetësakrifikimit që po bëjnë punëtorët, në këtë rast, naftëtarët. Kjo vjen edhe për shkak të neglizhencës që bën administrata publike, në këtë rast ministritë e linjës të cilët e kanë punë funksionale që duhet të dëgjojnë problemet e çdo punëtori”, theksoi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›