Protesta para Qeverisë, disa deputetë i bashkohen thirrjes për seancë të jashtëzakonshme

PRISHTINË, 16 shtator/ATSH/ Protestuesit që po qëndrojnë para Qeverisë së Kosovës kanë marrë mbështetjen e disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me ftesën që t’i bashkohen protestës dhe të mbajnë seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.
Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj kishte një kërkesë për deputetët.
“Ti ndihmojmë, të dalim me një mesazh për sonte që deputetët të mblidhen në parlament, qoftë në një mbledhje të jashtëzakonshme që të dalim me një kërkesë sonte ose nesër se cili është orientimi i këtij populli që keni premtuar që do të na përfaqësoni”, tha ai.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu mbështeti ftesën e Haradinajt.
“Edhe unë i bashkohem ftesës tënde, të gjithë i ftoj pa dallim partitë, të gjithë deputetë e Kuvendit të Republikës së Kosovës me qenë sot këtu me juve dhe atje brenda në Kuvend”, tha ajo.
Protestës iu ka bashkuar edhe Time Kadriaj, Albana Bytyçi e Aleancës, Sala Jashari nga PDK, bashkëshortja e ish-komandantit Abedin Rexha dhe ish-deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj.
/KosovaPress/