E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta për UÇK në Tiranë, ish deputeti: Tubimi po ndodh në kohën e duhur

Nesër, më 17 tetor, në ora 17:00, sheshi “Skënderbej” në Tiranë do të jehojë nga thirrjet për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mbahen në paraburgimin e Hagës.

Hisen Berisha, ish-deputet i PDK-së, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin Quo Vadis në Vizion Plus, tha se ky tubim në Tiranë po ndodh në kohën e duhur.

Ish-deputeti e cilësoi atë si një tubim me peshë emocionale dhe morale në mbështetje të drejtësisë. Berisha u shpreh se protesta po vjen në një moment të rëndësishëm, kur po jepen dëshmitë në proces dhe pritet një vendim gjatë vitit të ardhshëm.

Sipas tij, në aspektin ligjor ndikimi i drejtpërdrejtë është i kufizuar, por në planin moral ka vlerë të madhe.

Pjesë nga intervista:

Borakaj: Si e konsideroni protestën e ditës së nesërme në Tiranë?

Berisha: Çdo organizim që është në mbështetje të drejtësisë është i mirëseardhur dhe duhet vlerësuar. Ky tubim që është thirrur ka pikërisht peshën emocionale dhe morale në mbështetje të drejtësisë. Asnjë tubim nuk është bërë kundër Dhomave Speciale, por në mbështetje të drejtësisë për ata që mbahen në Hagë.

Borakaj: Është e vonuar kjo protestë në Tiranë?

Berisha: Jo, sepse po ndodh në fazën kur po jepen dëshmitë dhe pritet që vitin e ardhshëm të kemi një verdikt. Po ta shohim tubimin në aspektin emocional dhe moral, është brenda normës. Ama, po ta shohim në aspektin juridik e ligjor, cili është efekti? Në shumë raste, do të kishte qenë më e përshtatshme që këto tubime të organizoheshin para Kuvendit të Kosovës dhe para Parlamentit Evropian. Nënshkrimi i një peticioni mbarëkombëtar do të ndikonte më shumë në moralin gjykues të trupës gjykuese brenda Dhomave Speciale.

Borakaj: Kjo protestë është parë si një shkëndijë tjetër për atë përplasje në distancë mes Kurtit dhe Ramës. Si e keni parë këtë përplasje mes dy kryeministrave?

Berisha: I paqëndrueshëm dhe i turpshëm ky qëndrim. Tendencat e Kurtit nuk janë thjesht për të treguar një nivel tjetër të klasit, gjoja profesional, por lexojeni deklaratën e tij: “A ndjen pendesë organet?”, thotë. Pendesë për çfarë? Për mosinformimin e Dhomave Speciale? Thirrja për pendesë është tendencë për t’i bërë tradhti.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›