Protesta për Zvërnecin në ditën e 58-të

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Qytetarët janë mbledhur sërish sot për të protestuar në ditën e 58-të të tubimit, i cili nisi kundër investimit në zonën e Zvërnecit.
Aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ku mbajtën pankarta dhe parulla me kërkesa politike, përfshirë thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në sistemin politik.
Më pas, protestuesit nisën marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku vijuan tubimin.
Kërkesat e tyre vijojnë të mbeten të njëjta, duke kërkuar ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe shfuqizimin e igjit për investitorët strategjikë, Paketës së Maleve, si dhe ndryshimeve për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.
Një protestues tha se policia kishte blinduar sot zonën pranë Parlamentit gjatë protestës së paradites së sotme, duke e cilësuar praninë e madhe të efektivëve të policisë si një shenjë frike të deputetëve nga vezët që do i hidhnin qytetarët.
Duke folur para Kryeministrisë, qytetari tha se autoritetet kishin mobilizuar efektivë nga disa qarqe të vendit për të siguruar godinën e Kuvendit.
“Sot është dita e 58-të e qëndresës sonë. E nisëm si në çdo seancë parlamentare, duke parë se si ishte rrethuar “nusja” dhe shtetrrethimi, se po xhirohej filmi atje te Parlamenti sot. Dhe sa të trembur ishin nga vezët tona, sa kishin sjellë mbi 1 mijë policë nga të gjitha rrethet”, tha ai.
Aktivisti Arben Kola reagoi pas protestës së sotme para Parlementit, teksa theksoi se mazhoranca po përdor policinë kundër qytetarëve, ndërsa e cilësoi reagimin e tyre si një shenjë frike.
“Siç e patë edhe sot, qeveria e krimit, narkoshteti, ishin të tmerruar nga vezët dhe qytetarët shqiptarë. Ata po mundohen me çdo mjet të sulmojnë aktivistët, protestuesit, përmes shantazheve, mafies e të tjerë, por nuk do ia dalin. Ju duhet ta vazhdoni këtë revolucion deri në rrëzimin e kësaj palo qeverie. Nuk mund të lejojmë shitjen e Shqipërisë, nuk i dorëzohet Shqipëria tradhtarëve. Shqipëria do të lirohet njëherë e mirë nga klika komuniste bolshevike e Tiranës”, tha ai.
Pas fjalimeve të rastit, protestuesit zhvilluan marshimin e tyre të përnatshme nëpër rrugët e Tiranës, duke kërkuar largimin e qeverisë.
Protesta e 58 për Zvërnecin në Tiranë, foto: Florian Abazaj 1 nga 11/j.p/