E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta për Zvërnecin në ditën e pesëmbëdhjetë në kryeqytet

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Protesta kundër projektit të investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës hyri sot në ditën e saj të 15-të, ku qytetarë dhe aktivistë nga shoqëria civile u grumbulluan në sheshin “Skënderbej” për të marshuar përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë.

Me pankarta në duar, flamuj kuqezi dhe thirrje me megafon “drejtësi, jo pandëshkueshmëri” dhe “Shqipëri e re”, protestuesit u drejtuan drejt godinës së Kryeministrisë.

Grumbullimi nisi në orën 18:00 në qendër të Tiranë, ku u mbajtën dhe fjalët e para, për të vijuar 30 minuta më tej drejt Kryeministrisë, ndërsa gjatë marshimit, protestuesit me thirrjet e tyre u kërkonin edhe kalimtarëve të rastit që t’i bashkoheshin protestës.

Me thirrjet “Revolucion, revolucion”, protestuesit u afruan përpara godinës së Kryeministrisë për të mbajtur fjalimet e rastit. Fillimisht u intonua himni kombëtar, siç ka ndodhur edhe në ditët e mëparshme. Më pas, qytetarë, aktivistë dhe pjesëmarrës në protestë morën fjalën, duke ligjëruar qëndrimet e tyre.

Në sheshin përpara Kryeministrisë, një protestuese, që jeton në Austri u shpreh se angazhimi i shqiptarëve të diasporës nuk është vetëm për një ditë, por do të jetë çdo ditë.

“Le ta themi hapur, diaspora blen ilaçet e shëndetësisë falas për nënat dhe baballarët, paguan ujin dhe dritat. Pa diasporën, mijëra familje nuk do të arrinin të mbijetonin”, u shpreh ajo.

Një tjetër emigrant me banim në Suedi, u shpreh nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” se nuk arsye pse shqiptarët ta kërkojnë të ardhmen në vende të tjera të botës.

“Më bëhet zemra mal kur shoh të rinj që protestojnë, që duan një të ardhme më të mirë. Mos u dorëzoni kurrë. Unë kam jetuar jashtë për 20 vite dhe u ktheva në vendin tim. Nuk kemi pse ta ndërtojmë të ardhmen diku tjetër. Ata që po na detyrojmë të ikin, janë shumë pak, janë një grusht shumë i vogël, ndërsa ne jemi një popull. Ky popull nuk duron më padrejtësi. Rroftë Shqipëria e re”, tha ai.

Protestuesit kanë parashtruar pesë kërkesa kryesore: dorëheqjen e kryeministrit; shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë; shfuqizimin e Paketës së Maleve; anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura; si dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Pas ndalesës para Kryeministrisë e cila zgjati mbi dy orë, marshimi vijojë në disa prej akseve kryesore të Tiranës, duke nisur nga zona përpara Bashkisë së Tiranës, duke vijuar më pas drejt zonës së “Ushtarit te Panjohur”, “nëntë katësheve”, “Muzeut Historik Kombëtar”, dhe më pas nga Rruga e “Durësi”, duke vijuar më tej drejt rrethrrotullimit të Zogut të zi, ish-sheshit “Shqiponja”. Marshimi vazhdoi edhe përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, teksa në fund të marshimit u la takim edhe për nesër në ora 18:00.

Protesta për Zvërnecin, foto: Andrin Hoxha 1 nga 40

/e.i/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›